Kush me algoritëm sundon, nga algoritmi rrëzohet

Polity & Ideology - Gent Kaprata/

Ka një ironi të ftohtë në panikun e fundit të Edi Ramës ndaj algoritmit. Për më shumë se një dekadë, ai e ndërtoi pushtetin jo vetëm mbi vota, administratë, patronazh, klientelë dhe kapje institucionale, por mbi diçka edhe më të thellë: kontrollin e perceptimit publik. Ai kuptoi më herët se kundërshtarët e tij se, në një shoqëri të lodhur nga tranzicioni dhe të dobësuar institucionalisht, realiteti politik nuk prodhohet vetëm nga ajo që ndodh, por nga mënyra si ajo shfaqet.

Rama nuk qeverisi thjesht me vendime. Ai qeverisi me pamje. Me regji. Me skenografi. Me video. Me batuta. Me përqeshje të kundërshtarit. Me kthimin e çdo kantieri në spektakël, të çdo fasade në “rilindje”, të çdo kritike në prapambetje, të çdo proteste në manipulim dhe të çdo kundërshtari në armik të zhvillimit.

Ky ishte algoritmi politik i Ramës shumë përpara se algoritmi digjital të bëhej temë e fjalimeve të tij ndërkombëtare: prodho imazh, kontrollo skenën, shpërndaj emocion, zhurmo debatin, diskredito kritikun dhe përsërit të njëjtën fabul derisa publiku të lodhet nga rezistenca ndaj saj. Nuk kishte rëndësi nëse qyteti po ngarkohej me beton; rëndësi kishte që betoni të dukej modernizim. Nuk kishte rëndësi nëse territori po privatizohej; rëndësi kishte që privatizimi të shitej si investim strategjik. Nuk kishte rëndësi nëse vendimmarrja ishte e mbyllur; rëndësi kishte që prezantimi të dukej europian.

Në këtë kuptim, “Rilindja” nuk ishte vetëm projekt politik. Ishte regjim komunikimi. Ajo zëvendësoi qeverisjen me imazh qeverisjeje. Zëvendësoi konsultimin me prezantim. Zëvendësoi llogaridhënien me monolog. Zëvendësoi institucionin me kryeministrin që flet, tregon, fyen, tallet, premton, inaguron dhe vendos vetë kornizën e çdo ngjarjeje.

Për këtë arsye, mediat elektronike nuk ishin mjet ndihmës për pushtetin; ishin pjesë e vetë arkitekturës së tij. Televizioni tradicional i dha Ramës skenën e parë: ekranin e madh, audiencën pasive dhe hierarkinë e kontrollueshme. Aty pushteti e di kë fton, kë ndërpret, kë nxjerr si ekspert dhe kë e vendos në rolin e karikaturës. Në televizion, nuk është gjithmonë e nevojshme të fitosh argumentin; mjafton të kontrollosh pamjen e argumentit.

Pastaj erdhi media digjitale. Në fillim, ajo nuk e dobësoi Ramën; përkundrazi, e forcoi. Sepse Rama ishte produkt natyror i kulturës së vëmendjes. Ai e kuptoi se rrjeti social nuk është thjesht mjet komunikimi, por mekanizëm pushteti. Aty mund të flasësh pa gazetar, të shpërndash pa redaksi, të prodhosh lajm pa pyetje, të jesh njëkohësisht kryeministër, televizion, moderator, regjisor dhe komentator i vetvetes.

Këtu qëndron paradoksi i sotëm. Rama po ankohet për algoritmin pikërisht në momentin kur algoritmi nuk punon më vetëm për të. Për sa kohë ai shumëfishonte kantierin, fasadën, batutën, videon me muzikë, Shqipërinë turistike dhe figurën e kryeministrit që “bën shtet”, algoritmi ishte modernitet. Por tani që i njëjti mekanizëm shumëfishon gardhin, arrogancën, privatizimin e bregdetit, protestën, flamingon, dyshimin dhe talljen publike ndaj pushtetit, algoritmi shpallet rrezik për demokracinë.

Nuk ka hipokrizi më të pastër se kjo.

Algoritmi nuk është bërë papritur armik i së vërtetës. Ai ka qenë gjithmonë makineri vëmendjeje. Nuk shpërblen domosdoshmërisht të vërtetën; shpërblen reagimin. Nuk nderon argumentin; nxit emocionin. Nuk pyet kush ka të drejtë; mat kush tërheq vëmendje. Këtë Rama e dinte shumë mirë kur e përdorte për të pushtuar ekranet, rrjetet dhe imagjinatën publike. Tani që e njëjta logjikë po i kthehet kundër, kërkon të na bindë se problemi është teknologjia, jo modeli politik që vetë ndërtoi mbi teknologjinë.

Rasti i Zvërnec–Nartës e bëri të dukshme këtë përmbysje. Ajo që nisi si kundërshtim ndaj një projekti turistik në një zonë ekologjikisht të ndjeshme, u shndërrua shumë shpejt në simbol të një pakënaqësie më të gjerë ndaj mënyrës se si qeveria trajton territorin, pronën, natyrën dhe qytetarin. Imazhi i flamingos u bë më i fortë se slogani i investimit. Gardhi u bë më i fortë se fjalimi. Dyshimi mbi pronën u bë më i fortë se broshura turistike. Pamja e territorit të rrethuar u bë më e fortë se çdo deklaratë për “Shqipërinë 2030”.

Pikërisht këtu algoritmi bëhet armë kundër arkitektit të propagandës. Jo sepse algoritmi krijon revoltën. Revolta nuk prodhohet nga telefoni; telefoni vetëm e shpërndan. Pakënaqësia nuk lind nga TikTok-u; aty vetëm merr formë, ritëm dhe publik. Problemi i Ramës nuk është se qytetarët u manipuluan nga algoritmi. Problemi i tij është se qytetarët filluan të komunikojnë pa lejen e regjisorit.

Prandaj reagimi i pushtetit është kaq nervoz. Kur qytetari nuk bindet më, qytetari shpallet i manipuluar. Kur protesta nuk kontrollohet më, protesta shpallet e orkestruar. Kur rrjeti nuk shpërndan më vetëm propagandën zyrtare, rrjeti shpallet kërcënim. Kur publiku nuk pranon më të shohë vetëm atë që i tregon qeveria, publiku shpallet viktimë e forcave të errëta.

Kjo është metoda klasike e pushtetit që ka humbur kontaktin me shoqërinë. Në vend që të pranojë krizën e besimit, konfliktin mbi pronën, shqetësimin mjedisor dhe lodhjen publike nga qeverisja me projekte të mëdha e transparencë të vogël, ai zgjedh ta përkthejë pakënaqësinë në komplot.

Por beteja nuk është më vetëm për një resort, një lagunë apo një simbol mjedisor. Beteja është për pronësinë e rrëfimit publik. Për trembëdhjetë vjet, pushteti u përpoq t’u tregojë shqiptarëve çfarë është zhvillim, çfarë është Europë, çfarë është modernizim dhe çfarë është interes publik. Tani qytetarët po i përgjigjen: jo çdo beton është zhvillim; jo çdo investitor i huaj është shpëtim; jo çdo projekt luksoz është modernizim; jo çdo kritik është armik; jo çdo protestë është komplot.

Kjo është kriza e vërtetë e Ramës. Jo algoritmi. Jo TikTok-u. Jo flamingoja. Kriza e tij është se modeli i sundimit përmes perceptimit ka hyrë në fazën e kundërt. Për shumë vite, perceptimi e mbrojti nga realiteti. Tani realiteti po përdor perceptimin për ta goditur. Për shumë vite, imazhi e mbuloi qeverisjen. Tani imazhi po e zhvesh qeverisjen.

Rama mund të ketë ende pushtetin formal: parlamentin, qeverinë, administratën, bashkitë, fondet, studiot, portalet dhe patronazhin. Por pushteti më i rëndësishëm i tij, pushteti mbi narativën, është çarë. Dhe kur pushteti mbi tregimin çahet, pushteti politik nuk bie menjëherë; fillimisht fillon të duket i vjetër, i lodhur, i rëndë dhe i zhveshur nga magjia që e mbante në këmbë.

Kush me algoritëm sundon, nga algoritmi rrëzohet. Jo sepse algoritmi është drejtësi. Jo sepse rrjeti është popull. Jo sepse viralja është e vërtetë. Por sepse një pushtet që ndërtohet mbi manipulimin e vëmendjes nuk mund të ankohet kur vëmendja manipulohet kundër tij. Rama nuk po rrëzohet nga algoritmi. Rama po rrëzohet nga Rama. Algoritmi thjesht po ia kthen faturën.