Tronditëse në Francë/ Policia zbulon pesë trupa foshnjash të pajeta të fshehur në kuti kartoni, çifti nën hetim

Pesë trupa foshnjash të pajeta janë gjetur në banesën e një çifti në Orange, në jug të Francës. Policia zbuloi trupat e foshnjave në shtëpinë e çiftit, pasi gruaja kishte sjellë në jetë një fëmijë të shëndetshëm një ditë më parë. Trupat e pajetë u gjetën të fshehur brenda kutive prej kartoni.

Sipas gazetës Le Parisien, gruaja, e lindur në vitin 1994, solli në jetë një tjetër fëmijë të hënën në mbrëmje, pasi për herë të tretë kishte mohuar se ishte shtatzënë. Personeli i spitalit në Orange vuri re disa elemente të dyshimta dhe njoftoi menjëherë policinë.

Efektivët shkuan në banesën e gruas së bashku me babanë e foshnjës së porsalindur, ku zbuluan trupat e pajetë. Prokuroria e Carpentras ka refuzuar për momentin të japë detaje të tjera mbi çështjen.

Brenda banesës, policia gjeti mbetje të tjera njerëzore të ruajtura në qese plastike, të vendosura brenda kutive prej kartoni. Çifti ka edhe dy fëmijë të tjerë, të moshës 8 dhe 12 vjeç.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje një rast tjetër tronditës në Francë. Në muajin mars të këtij viti, një grua nga fshati i afërt Bédoin u dënua me 25 vite burg, pasi trupat e dy foshnjave të pajeta u gjetën në frigoriferin e saj.