Arrestohet në Lushnjë 48-vjeçari i kërkuar nga Italia, ishte dënuar me 11 vite burg për trafik droge

Një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Fast” ka përfunduar me kapjen e një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sektori për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, lokalizuan dhe arrestuan në Lushnjë shtetasin Bledar Buxheli alias Bledar Çelo, 48 vjeç.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit të Venecias në Itali e ka dënuar në vitin 2024 me 11 vite burgim për trafik droge.

Sipas policisë, nga dënimi i dhënë, Buxhelit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 8 vite, 6 muaj dhe 24 ditë burgim.

Arrestimi është kryer me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, ndërsa Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë procedurat për transferimin e 48-vjeçarit për vuajtjen e dënimit.