SYRI TV/ Organizata e DASH jep alarmin për Shqipërinë, OSAC: Krimi dhe korrupsioni janë shtuar

Raporti i fundit i OSAC, strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit, vlerëson se krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten ndër sfidat kryesore për Shqipërinë, ndërsa pandëshkueshmëria vazhdon të jetë një problem serioz. Sipas dokumentit, kriminaliteti është rritur, ndërsa korrupsioni vijon të dëmtojë sistemin e drejtësisë, administratën dhe klimën e biznesit. Raporti ndalet edhe te zhvillimet politike të vitit 2026, duke veçuar protestat kundër qeverisë.

Krimi i organizuar, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria mbeten sfidat kryesore të Shqipërisë. Ky është vlerësimi i raportit të fundit të Overseas Security Advisory Council, strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit, e cila harton analiza të sigurisë për qytetarët dhe bizneset amerikane jashtë vendit. Sipas raportit, kriminaliteti në Shqipëri u rrit me rreth 17 për qind gjatë vitit 2025. Rritja lidhet kryesisht me trafikun e drogës, mashtrimet dhe veprat penale me armë. Dokumenti vlerëson se rrjetet e krimit të organizuar vazhdojnë të kenë një prani të konsiderueshme në vend, duke operuar në trafikun e drogës, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore, zhvatjen, prostitucionin dhe korrupsionin. Raporti thekson gjithashtu se një pjesë e armëve dhe eksplozivëve të paligjshëm që qarkullojnë në Evropë kanë origjinë ose kalojnë tranzit përmes territorit shqiptar.

Por një nga kapitujt më kritikë të raportit lidhet me korrupsionin. Sipas OSAC, ndonëse Shqipëria ka një kuadër ligjor për luftën kundër korrupsionit dhe, pas krijimit të SPAK-ut, është rritur numri i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë, korrupsioni vijon të mbetet një pengesë serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe klimën e biznesit.

"Investitorët e huaj përmendin korrupsionin në sistemin gjyqësor, në qeveri, në prokurimet publike dhe në media, mungesën e transparencës dhe konkurrencës, si disa nga problemet më të mëdha që pengojnë mjedisin e biznesit në Shqipëri. Pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz."

Raporti nënvizon se, megjithëse arrestimet dhe ndjekjet penale ndaj zyrtarëve janë shtuar vitet e fundit, shumë politikanë, gjyqtarë, zyrtarë dhe persona me interesa të fuqishme ekonomike vijojnë t'i shmangen drejtësisë. Sipas dokumentit, korrupsioni në administratë, sistemin gjyqësor, prokurimet publike dhe mungesa e transparencës vazhdojnë të pengojnë forcimin e shtetit të së drejtës dhe klimën e biznesit. Ai nënvizon se korrupsioni mbetet problem edhe në institucionet e vuajtjes së dënimit, veçanërisht në lidhje me aksesin në punë dhe programet e posaçme të lirimit. Raporti ndalet edhe te zhvillimet politike të vitit 2026, duke veçuar protestat kundër projektit turistik në ishullin e Sazanit, të cilat, nga demonstrata mjedisore, u shndërruan në protesta kundër korrupsionit qeveritar dhe u përfshinë nga OSAC mes ngjarjeve më të rëndësishme që ndikuan në stabilitetin e vendit.

Në përfundim, raporti u rekomandon qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes gjatë qëndrimit në Shqipëri, të shmangin protestat dhe të marrin masa të shtuara sigurie ndaj vjedhjeve, mashtrimeve dhe rreziqeve të tjera.