Persona të bllokuar brenda një qendre tregtare në Japoni pas tërmetit të fuqishëm

Disa persona kanë mbetur të bllokuar brenda një qendre tregtare në jugperëndim të Japonisë, pas një tërmeti të fuqishëm që goditi zonën, njoftojnë autoritetet.

Sipas raportimeve paraprake, një shpërthim ka ndodhur në qendrën tregtare Aeon Mall në Kumamoto, pas tërmetit me magnitudë 7.1 ballë, i cili ka shkaktuar plagosjen e disa personave.

Tërmeti goditi ishullin Kyushu rreth orës 16:27 sipas kohës lokale (07:27 GMT). Më shumë se 150 mijë banorë u udhëzuan të zhvendoseshin në qendra evakuimi, ndërsa një paralajmërim për cunami, i lëshuar menjëherë pas lëkundjeve, u hoq brenda një ore.

Japonia është ndër vendet më të prekura nga aktiviteti sizmik në botë, ku regjistrohen rreth 1 500 tërmete çdo vit.

Agjencia Meteorologjike Japoneze ka paralajmëruar për mundësinë e lëkundjeve të forta pasuese, për shkak të faktit se epiqendra e tërmetit ishte relativisht e cekët, vetëm 10 kilometra nën sipërfaqen e tokës.

Pamjet e transmetuara nga televizioni publik japonez NHK tregojnë rrugë dhe ura të dëmtuara, ndërsa disa ndërtesa raportohet se janë përfshirë nga flakët.

“Ne po vijojmë të vlerësojmë përmasat e dëmeve dhe numrin e personave të prekur, por jam informuar se ka pasur disa të lënduar”, deklaroi kryeministrja japoneze Sanae Takaichi.