Raporti i SHBA-së godet qeverinë Rama dhe drejtësinë e re: Krimi, droga dhe pastrimi i parave janë...
Departamenti i Shtetit: Shqipëria përballet me krim të organizuar, trafik droge, pastrim parash dhe dobësi në reagimin e autoriteteve
Një raport i publikuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ngre shqetësime për situatën e sigurisë në Shqipëri, duke evidentuar rritjen e kriminalitetit, ndikimin e krimit të organizuar dhe problematikat me kapacitetet e institucioneve ligjzbatuese.
Sipas raportit të Zyrës së Sigurisë Diplomatike (OSAC), Shqipëria vijon të konsiderohet një vend ku udhëtarët duhet të tregojnë "kujdes të shtuar" për shkak të krimit. Departamenti i Shtetit e ka klasifikuar Tiranën me një nivel mesatar kërcënimi për krimin ndaj interesave zyrtare të qeverisë amerikane.
Një nga të dhënat më shqetësuese të raportit është rritja e shkallës së përgjithshme të krimit në vend. Sipas autoriteteve amerikane, krimi në Shqipëri është rritur me rreth 17% nga viti 2024 në vitin 2025, ku faktorët kryesorë të kësaj rritjeje lidhen me krimet e drogës, mashtrimet dhe veprat që përfshijnë armë.
Raporti nënvizon se pavarësisht disa uljeve në krimet e dhunshme, krimi i organizuar mbetet një problem i dukshëm në Shqipëri, me rrjete kriminale të përfshira në trafik droge, zhvatje, korrupsion, pastrim parash, prostitucion dhe trafikim të qenieve njerëzore.
"Shqipëria strehon një rrjet organizatash kriminale", thuhet në raport, duke theksuar se vendi vazhdon të jetë një pikë e rëndësishme për aktivitetet kriminale që lidhen me trafikun ndërkombëtar.
Raporti amerikan ngre gjithashtu shqetësime për korrupsionin dhe aftësinë e institucioneve për t'iu përgjigjur krimeve të rënda. Departamenti i Shtetit thekson se në disa raste forcat vendore të rendit mund të kenë kapacitete të kufizuara për reagim ndaj krimit të organizuar dhe veprave të rënda penale.
Një tjetër element i evidentuar është prania e armëve dhe eksplozivëve të paligjshëm. Sipas raportit, një pjesë e armëve të paligjshme që qarkullojnë në Evropë burojnë nga ose kalojnë tranzit përmes Shqipërisë, duke bërë që autoritetet amerikane ta konsiderojnë trafikimin e armëve si një shqetësim të vazhdueshëm.
Në raport përmenden edhe raste të përdorimit të mjeteve shpërthyese artizanale (IED), kryesisht në konflikte të lidhura me individë apo mosmarrëveshje të ndryshme.
Në fushën e terrorizmit, Shqipëria vlerësohet gjithashtu me nivel mesatar kërcënimi për interesat amerikane. Departamenti i Shtetit thekson se shqetësimet kryesore lidhen me përdorimin e territorit shqiptar si vend tranziti për financime apo materiale të lidhura me aktivitete terroriste, si dhe me rrezikun e radikalizimit të individëve të kthyer nga zonat e konfliktit.
Raporti i SHBA-së vjen në një kohë kur qeveria shqiptare promovon përparime në siguri dhe luftën kundër korrupsionit me Drejtësinë e Re, ndërsa vlerësimet amerikane nënvizojnë se krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe dobësitë institucionale mbeten ende sfida serioze për vendin.