SHBA dhe Irani ulen në tryezë/ Iu kthehen negociatave, Trump: Bisedime të mira

Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë bisedime konstruktive me Iranin, duke lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje për uljen e tensioneve. Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse negociatat dështojnë, sulmet ajrore amerikane do të rifillojnë.

Sipas Tramp, kërkesa e Teheranit për t’u ulur në tryezën e bisedimeve është rezultat i presionit të ushtruar nga sulmet e fundit amerikane.

Ndërkohë, Uashingtoni ndërpreu të shtunën fushatën dyjavore të sulmeve ajrore ndaj Iranit, një vendim që shënon një tjetër ndryshim të rëndësishëm në strategjinë e administratës amerikane gjatë konfliktit që ka zgjatur pesë muaj.

Autoritetet saudite njoftuan se mbrojtja ajrore rrëzoi disa dronë që kishin në shënjestër objektet e naftës. Sipas Riadit, ata ishin lëshuar nga territori i Irakut nga një milici e mbështetur nga Irani. Arabia Saudite deklaroi se rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur këtyre sulmeve.

Pezullimi i operacioneve ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u prit pozitivisht nga tregjet financiare. Çmimi i naftës bruto ra me më shumë se 6 %, duke zbritur nën nivelin e 90 dollarëve për fuçi.