Argjentina përfitoi nga vendimi/ Zyrtarët e futbollit pranojnë gabimin fatal në ndeshjen me Zvicrën

Nga Tom Kuehner, BILD

Çerekfinalja e Botërorit, Argjentina kundër Zvicrës, mesi i pjesës së dytë: Zvicra sapo kishte barazuar me golin e Dan Ndoye dhe po kërkonte golin e avantazhit.

Pastaj sulmuesi zviceran Breel Embolo u përjashtua nga loja – për një simulim (hedhje të qëllimshme për të mashtruar gjyqtarin)! Loja ndryshoi drejtim dhe Argjentina fitoi 3-1 pas kohës shtesë. Tani del se: kartoni i verdhë i dytë dhe përjashtimi i Embolos u dhanë mbi bazën e një interpretimi të gabuar të rregullores.

International Football Association Board (IFAB), institucioni që përcakton rregullat zyrtare të futbollit ndërkombëtar, e ka pranuar gabimin e rëndë. Në një letër që ka siguruar gazeta “The Athletic”, i referohet konkretisht rastit të Embolos.

Për Kupën e Botës me formatin e zgjeruar u futën një sërë rregullash të reja. Njëri prej tyre lejon që gjyqtari video (VAR) të ndërhyjë nëse kartoni i verdhë ose i kuq i është dhënë lojtarit të gabuar. Por ky rregull nuk vlen për të kontrolluar ose për të hequr një karton të verdhë të dhënë për një lojtar të saktë.

Në këtë rast ndërhyri gjyqtari video Guillermo Pacheco (Meksikë). Situata ishte kjo: Në një duel mes Embolos dhe mesfushorit argjentinas Leandro Paredes, zvicerani ra në tokë.

Gjyqtari kryesor João Pinheiro (Portugali) vendosi, pavarësisht pretendimit për simulim, se kishte faull në favor të Zvicrës dhe i dha karton të verdhë Paredesit.

VAR-i Pacheco ndërhyri, e thirri Pinheiron te monitori – por pikërisht këtë nuk kishte të drejtë ta bënte.

Sepse kjo skenë konsiderohej një vendim faktik i gjyqtarit në fushë. Meqë Paredes kishte bërë faull dhe ishte ndëshkuar me karton të verdhë (pra nuk kishte ndonjë ngatërrim të lojtarit), kartoni nuk duhej të rishikohej.

Ndërhyrja e VAR-it e ndryshoi krejt kuptimin e aksionit. Nga një faull, situata u kthye në një simulim. Në fund vendimi mund të ketë qenë i saktë, por ai u arrit përmes një procedure që rregullat e futbollit nuk e lejojnë.

Për zviceranët pasojat ishin fatale:

-Embolo u përjashtua nga loja.

-Argjentina përfitoi nga epërsia numerike.

-Shënoi edhe dy gola të tjerë.

-U kualifikua në gjysmëfinale të Botërorit.

Tani organi zyrtar që kujdeset për rregullat e futbollit e ka pranuar gabimin. FIFA ende nuk kishte dhënë një deklaratë zyrtare.