Nuk ndalet ECO Tirana, hap një tjetër megatender 1.5 miliard lek për kazanë të rinj, ndërsa Tirana gëlon nga plehrat
Kompania "ECO Tirana", e cila prej vitesh është vënë në qendër të denoncimeve dhe kritikave për mënyrën e zhvillimit të tenderëve dhe menaxhimin e fondeve publike, ka hapur një tjetër procedurë të madhe prokurimi, këtë herë për blerjen e 3 mijë kazanëve të mbetjeve urbane.
Gazetari Elton Qyno mëson se tenderi është shpallur më 28 korrik 2026, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është caktuar 1 shtatori 2026.
Sipas dokumentacionit të tenderit, blerja e 3 mijë kazanëve do të realizohet nga "ECO Tirana" dhe vlera e fondit është 153 000 000,00 lek.
Megjithëse "ECO Tirana" vijon të “investojë” miliona euro në pajisje dhe mjete të reja, qytetarët e Tiranës vazhdojnë të përballen çdo ditë me kazanë të tejmbushur, mbetje të pambledhura dhe problematika të vazhdueshme me pastrimin në shumë lagje të kryeqytetit.
Kjo është vetëm procedura më e fundit në një seri tenderësh me vlera të larta që kompania ka zhvilluar ndër vite. SYRI.net ka raportuar vazhdimisht për kontrata milionëshe të "ECO Tirana", ku në disa raste garat janë zhvilluar me një ofertues të vetëm ose me konkurrencë të kufizuar, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe përdorimin e fondeve.
Po ashtu, kompania ka qenë objekt kritikash edhe për faktin se, pavarësisht shpenzimeve të konsiderueshme për kazanë, automjete dhe pajisje të tjera, situata e pastrimit në kryeqytet nuk ka shfaqur përmirësimin që do të justifikonte këto investime. Në shumë zona të Tiranës, qytetarët vijojnë të denoncojnë kazanë të dëmtuar, mbetje të grumbulluara për ditë të tëra dhe mungesë të standardeve të shërbimit.
Në një kohë kur shërbimi i pastrimit vijon të jetë një nga ankesat më të shpeshta të banorëve të Tiranës, një tjetër investim i madh në kazanë plehrash, Bashkia Tiranë vijon shpenzion miliona lek tendera.