Leonard Bashaliu në GJKKO: E mora vesh nga televizioni që ma kishin vrarë vëllanë
Leonard Bashaliu, vëllai i Albi Bashaliut, dëshmoi në Gjykatën e Posaçme në procesin ndaj Laert Haxhiut, ku u soll nga IEVP Peqin, ku po vuan dënimin për vrasjen e Ylber Xhahysës.
Ai deklaroi se në momentin e ekzekutimit të të vëllait ndodhej në burg dhe se lajmin e kishte mësuar nga televizioni, ndërsa theksoi se nuk ka asnjë informacion apo dyshim konkret për autorët e krimit.
Dëshmia në gjyq:
Leonard Bashaliu: Vëllai im, Albi Bashaliu, është vrarë më 27 dhjetor 2021. Në atë kohë unë ndodhesha në burg, në IEVP Elbasan. Lajmin për vrasjen e tij e mora vesh nga televizioni.
Nuk kam qenë mirë nga ana psikologjike dhe nuk kërkova takim me askënd. Më erdhi vetëm nëna për të më parë si isha me shëndet. Nuk folëm për ngjarjen. Çfarë mund të flisnim?
Nuk kam asnjë ide se kush mund ta ketë vrarë vëllain tim.
Unë kam qenë në burg për vrasjen e Ylber Xhahysës. E kam vrarë Ylber Xhahysën, e kam pranuar krimin, kam shprehur pendesë dhe kam marrë dënimin.
Albert Xhahysën e njoh. Njoh edhe vëllanë e tij, Eduartin, si dhe babanë e tyre. Alberti ka edhe dy djem, Enrikun dhe Roshin, por nuk i njoh, pasi kur unë u arrestova ata ishin ende të vegjël.
Nuk më ka ardhur asnjë sinjal apo informacion se kush mund ta ketë vrarë vëllain tim.