‘Autori zbriti nga Audi, foli me Albin dhe e qëlloi’, dëshmia e kushëririt të Bashaliut në gjyq
Sami Bashaliu, kushëriri i Albi Bashaliut dhe pronar i lokalit pranë të cilit ndodhi vrasja më 27 dhjetor 2021 në fshatin Gjocaj të Peqinit, dëshmoi në Gjykatën e Posaçme për atentatin.
Ai përshkroi momentet para dhe pas ekzekutimit, duke treguar se autori zbriti nga një automjet tip "Audi", iu afrua viktimës, shkëmbeu disa fjalë me të dhe më pas hapi zjarr.
Sipas dëshmitarit, pas krimit autorët i vunë flakën automjetit të Bashaliut dhe u larguan nga vendngjarja.
Dëshmia në gjyq:
Sami Bashaliu: Pranë lokalit tim ka ndodhur një vrasje, rreth 3-4 vite më parë, pak para Vitit të Ri. Unë kam një biznes të vogël përpara shtëpisë, në fshatin Gjocaj të Peqinit.
Atë mëngjes binte shi. Pashë një automjet tip "Audi", ngjyrë e bardhë, me targa shqiptare dhe xhama të errët, të ndaluar pranë lokalit. Gruaja më tha se makina dukej e dyshimtë. U afrova, por nuk pashë njeri brenda.
Pas pak, njëri prej personave që ndodhej në makinë zbriti, iu afrua Albi Bashaliut dhe shkëmbeu disa fjalë me të. Menjëherë më pas u dëgjuan të shtënat me armë. Nuk e kisha parë ndonjëherë atë person; mbante maskë. Ai e qëlloi Albin 2 ose 3 herë.
Djemtë që ishin ulur në lokal u trembën, u ngritën dhe u larguan. Në automjet ndodheshin dy persona, por vetëm njëri prej tyre qëlloi.
Albi ra në tokë. Më pas autorët u kthyen në automjetin e tyre dhe i vunë flakën makinës së viktimës.
Unë u futa brenda lokalit. Vetëm shikoja, nuk bëra asgjë.
Albi nuk kishte ardhur te lokali ynë kohët e fundit, që pas vrasjes së vëllait të tij. Nuk dija asgjë për të kaluarën e tij. Vëllai i Albit, Leonardi, ishte vrarë disa vite më parë. Albi rrinte kryesisht në Itali.
Sa i përket autorit të ngjarjes, kam dëgjuar të përflitej emri i Albert Xhahysës. Kështu flitej në zonë, por unë personalisht nuk di asgjë.