Publikohen më në fund regjistrimet e Biden/ Ish-presidenti kishte probleme me kujtesën që në vitin 2017

Nga Ashley J. DiMella, FOX NEWS

Regjistrimet e ish-presidentit Joe Biden nga intervistat me shkrimtarin që ka ndihmuar në përgatitjen e kujtimeve të tij – të marra gjatë hetimit të prokurorit special Robert Hur për dokumentet e klasifikuara – janë bërë publike.

Pas një beteje ligjore disa-mujore nga avokatët e Biden për të bllokuar publikimin e regjistrimeve, ata e braktisën padinë e tyre dhe kërkuan pushimin e çështjes të premten, gjë që një gjykatës e pranoi të hënën.

Paditësi, Mike Howell, ish-punonjës i organizatës konservatore ‘Heritage Foundation’ dhe tani pjesë e ‘Oversight Project’, kishte luftuar për më shumë se dy vjet për të marrë materialet përmes kërkesave sipas ligjit për lirinë e informacionit (FOIA). Ai argumentonte se publiku kishte interes të shihte regjistrimet dhe transkriptet mbi të cilat Robert Hur kishte bazuar vendimin e tij.

‘Oversight Project’ publikoi orë të tëra regjistrimesh nga bisedat e Bidenit në vitet 2016 dhe 2017 me shkrimtarin e kujtimeve të tij, Mark Zwonitzer, ku ish-zëvendëspresidenti shpesh ndalon gjatë të folurit, flet me vështirësi dhe ka probleme për të kujtuar ngjarje – duke përforcuar përshkrimin e prokurorit special Robert Hur në raportin e tij.

“Joe Biden nuk donte që këto regjistrime të dilnin. Por tani kanë dalë – pas dy vitesh vonese të dhimbshme. Sot nuk ka gëzim në kampin e Biden. Vendimi i Robert Hur dhe Merrick Garland për t’i dhënë Biden një lehtësi për mbajtjen dhe zbulimin e informacionit të klasifikuar duhet të rishikohet nga fillimi deri në fund”, tha Jeff Clark, zëvendëspresident i ‘Oversight Project’ për çështjet gjyqësore.

Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve njoftoi se janë publikuar 2 orë e 45 minuta regjistrime.

Hur hetoi mënyrën se si Biden kishte trajtuar dokumentet e klasifikuara që nga koha kur ishte senator i SHBA-së nga Delaware dhe zëvendëspresident në administratën Obama. Ai vendosi të mos ngrinte akuza penale, sepse arriti në përfundimin se prokurorët nuk mund të provonin përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Biden i kishte mbajtur ose zbuluar me dashje materialet.

Në raportin e tij, Hur shkroi se bisedat e Biden ishin “jashtëzakonisht të ngadalta” dhe se Biden ishte “kishte vështirësi për të kujtuar ngjarje dhe duke u sforcuar ndonjëherë për të lexuar dhe përcjellë shënimet e tij personale”.

“Kujtesa e zotit Biden ishte dukshëm e kufizuar, si gjatë intervistave të regjistruara me shkrimtarin e kujtimeve në vitin 2017, ashtu edhe gjatë intervistës me zyrën tonë në vitin 2023”, shkroi Hur.

Ai gjithashtu tha se, si arsye për mosndjekjen penale, Biden mund t’i paraqitej një jurie si “një burrë i moshuar, simpatik, me qëllime të mira dhe me kujtesë të dobët”, më shumë sesa si dikush që kishte shkelur me dashje ligjet për dokumentet e klasifikuara.

Regjistrimet tregojnë raste kur Biden bën pauza të gjata, harron emra dhe nuk arrin të kujtojë data të caktuara.

Gjatë një bisede për një takim në Dhomën e Situatave (Situation Room) në vitin 2014, Biden e paralajmëroi Zwonitzerin: “Disa nga këto mund të jenë të klasifikuara, prandaj ki kujdes”, dhe shtoi: “Nuk jam i sigurt. Nuk është shënuar si e klasifikuar, por…”

Në një rast, më 24 prill 2017, Biden pati vështirësi të kujtonte emrat e dy këshilltarëve ekonomikë.

“Do ta kujtoj emrin e tij”, tha Biden, dhe më pas: “Duhet t’i shkruaj emrat, sepse vazhdoj t’i harroj”.

Pas kësaj pati një pauzë të gjatë, derisa Zwonitzer përmendi emrin Alan Krueger.

Po atë ditë, Biden nuk arriti të kujtonte se ku ndodhej në një datë të caktuar. Më vonë kujtoi se kishte qenë në një ceremoni përkujtimore për një ushtarak të rënë, por kishte harruar emrin e tij.

Biden tha: “Mendoj se shkova në atë shërbim përkujtimor në Wilmington. Shkruan [emri i fshirë] më 4 dhjetor, por nuk… e di çfarë do të thotë kjo. Shërbim përkujtimor – [emrat e fshirë] më ngatërrohen shumë”.

Zwonitzer u përgjigj: “Në rregull”, dhe Biden tha se do ta “shënonte edhe këtë”.

“Por gjithsesi, të kthehemi te – ishte… kisha një takim me Ron Klain, dhe nuk e di kur ishte”, shtoi Biden.

Biden gjithashtu dukej se kishte vështirësi të kujtonte një drekë me ish-sekretarin amerikan të Thesarit, Larry Summers.

“Kur ai erdhi tek unë – dhe do ta gjej datën. Më kujto, kur erdhi Summers për të ngrënë drekë me mua – ishte kur po mendoja të kandidoja”.

Më pas ai vazhdoi: “Ja çfarë ndodhi, para se ta harroj. Mos u shqetëso për rrjedhën e mendimit tim. Ai gjithashtu premtoi të më mbështeste në vitin 2016.”