‘Narko-shteti’ po vërtetohet nga raportet ndërkombëtare/ Zhulali: Është kthyer në një kancer për shoqërinë shqiptare
E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike u shpreh se raporti europian për krimin e organizuar evidenton përmasat e shtrirjes së rrjeteve kriminale shqiptare, të cilat janë kthyer në ndër aktorët më kërcënues për sigurinë europiane.
Zhulali theksoi se këto grupe kanë krijuar lidhje ndërkombëtare, veçanërisht në trafikun e kokainës dhe pastrimin e parave të krimit, ndërsa deklaroi se raportet e fundit po tregojnë fuqinë e fenomenit që opozita e ka cilësuar më herët si “narko-shtet”, duke e quajtur atë një “kancer të brendshëm” për shoqërinë shqiptare.
Pjesë nga intervista:
Ky raport është shumë i rëndësishëm dhe, në njëfarë mënyre, është edhe një manual për të gjitha policitë e vendeve të Bashkimit Evropian, por jo vetëm, edhe për vendet partnere me të cilat bashkëpunon policia evropiane, për të kuptuar se cilat janë sot rrjetet më të rrezikshme që kërcënojnë sigurinë evropiane, si operojnë ato, si bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe, në njëfarë mënyre, që të gjitha policitë e vendeve anëtare të BE-së dhe jo anëtare, por me të cilat ajo bashkëpunon, të bashkëpunojnë dhe të koordinohen për t'i goditur fuqishëm këto rrjete.
Shqipëria përmendet përsëri edhe në këtë raport, që vjen pas dy vjetësh, sepse tashmë bën një krahasim se si ka ndryshuar situata në dy vite, nga 2024, kur ka qenë raporti i fundit, në 2026-ën. Por rrjetet kriminale shqiptare përfshihen në rrjetet më kërcënuese kriminale për sigurinë evropiane sot.
Ato shikohen si aktorë kyç dhe urëlidhëse mes Amerikës Latine dhe tregjeve evropiane, të fokusuara kryesisht në tregtimin e kokainës. Ato kanë marrë një pozicion dominues sot, thotë raporti, për shkak të aftësisë dhe dërvjelltësisë që kanë arritur të kenë, duke dominuar të gjithë procesin dhe duke e kontrolluar atë nga fillimi deri në fund.
Dhe kanë krijuar një bazë shumë të fortë edhe në Amerikën Latine, duke pasur grupe operacionale në terren. Rasti i një klani që bashkëpunonte me kartelin “Los Lobos”, ujqërit e Ekuadorit, që njihet si një nga kartelet dhe organizatat kriminale më të fuqishme, por edhe më të dhunshme, tregon për aftësinë e grupeve kriminale shqiptare për të depërtuar deri në këto përmasa.
Por tregon edhe për mënyrën se si këto rrjete, më pas, marrin të gjitha të ardhurat e krimit, i kanalizojnë ato dhe i pastrojnë në ekonomi. Një nga fokusimet kryesore të këtij raporti është edhe kuptimi i mënyrës se si qarkullojnë paratë dhe se si ato më pas shkojnë në investime brenda vendeve të ndryshme, duke përbërë edhe kërcënim për vetë sigurinë evropiane apo të vendeve të tjera, në rastin tonë për Shqipërinë.
Pasi prishin të gjitha ekuilibrat e brendshëm, konkurrencën, pra jo vetëm sigurinë në kuptimin e parë të fjalës, sigurinë fizike për njerëzit dhe përfshirjen e njerëzve në grupe kriminale dhe pjesëmarrjen në aktivitet kriminal, por prishin edhe ekuilibrat e tjerë të sigurisë: sigurinë ekonomike, tregun financiar.
Ne kemi parë, për shembull, tronditjen që i ka dhënë euros, gjithashtu edhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Prandaj, ky është një, si të thuash, manual, do ta quaja unë, shumë i rëndësishëm edhe për forcat e zbatimit të ligjit në Shqipëri, por edhe për çdo njeri që do të kuptojë në fakt se çfarë po ndodh këtu.
Dhe, edhe pse shumë njerëzve kjo “narko-shteti” që ne kemi thënë shumë kohë më parë, e kemi paralajmëruar që do të ketë një efekt të tmerrshëm për Shqipërinë, në fakt po vërtetohet edhe përmes këtyre raporteve se çfarë force ka dhe se si ajo është kthyer në një kancer të brendshëm edhe për shoqërinë shqiptare.
Po, kjo patjetër që ka peshën e vet, veçanërisht tani që Shqipëria është në procesin e negociatave të anëtarësimit me BE-në, pasi e shfaq Shqipërinë ashtu siç është në fakt.
Dhe që një vend që aspiron të bëhet vend anëtar dhe që duhet t'i kishte institucionet e zbatimit të ligjit të afta, të forta, të fuqishme për ta luftuar krimin, në fakt e tregon siç është: që është e përfshirë dhe bashkëpunëtore me këto rrjete kriminale.
Sepse, siç e thonë, për shembull, edhe raportet amerikane, ato bëjnë një skanim edhe më të thellë dhe thonë që krimi i organizuar shqiptar është përtej përmasave normale; “oversize” e quajnë, kjo është fjala që ato i vënë krimit të organizuar shqiptar.
Dhe çfarë do të thotë kjo? Një vend i vogël si Shqipëria nuk mund të ketë grupe kriminale kaq të fuqishme dhe kaq të përhapura, me shtrirje deri në Amerikën Latine, nëse nuk ka një bazë të fortë dhe lidhje të forta shtetërore, nëse nuk arrin në majat më të larta dhe të ketë mbrojtjen e fuqishme të shtetit.