Marrëveshja me SHBA-në, Hoti: Rama tentoi ta kthente Kuvendin në noter, opozita i prishi skenarin
Deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” u shpreh se marrëveshja me SHBA-në dhe mënyra se si mazhoranca tentoi ta kalonte atë në Kuvend, ishin një tjetër përpjekje për ta kthyer parlamentin në një institucion formal miratimi.
Ai e theksoi se opozita nuk kundërshton marrëveshjen, por mënyrën e trajtimit të saj nga qeveria, duke kërkuar që deputetët dhe qytetarët të kenë mundësi ta njohin dhe ta shqyrtojnë përmbajtjen e saj.
Hoti deklaroi se mazhoranca tentoi ta vendoste opozitën në një kurth politik, por ky skenar dështoi, pasi qëndrimi i opozitës ishte pro partneritetit strategjik me SHBA-në, por kundër shkeljes së procedurave parlamentare.
Ai u shpreh se reagimi qytetar ndaj qeverisë nuk lidhet vetëm me korrupsionin, por me atë që e cilësoi mungesë respekti ndaj qytetarëve dhe institucioneve demokratike.
Sipas Hotit, protesta e qytetarëve dhe rritja e pakënaqësisë tregojnë se propaganda qeveritare po humbet ndikimin, ndërsa ai akuzoi mazhorancën se e ka trajtuar pushtetin si pronë private. Ai foli gjithashtu për mënyrën se si është përdorur propaganda politike dhe mediatike për të ndikuar opinionin publik, duke përmendur edhe rastin e Shkodrës.
Pjesë nga deklarata:
Po rikonfirmohet në radhë të parë nga qytetarët, sepse është e rëndësishme që të rikonfirmohet dhe të kuptohet nga qytetarët. Pavarësisht se u kërkua dhe u insistua që të vihej opozita në një pozicion të vështirë, realisht mund të them që ne arritëm ta kthejmë në sukses. Arritëm sepse dhamë mesazhin që jemi pro marrëveshjes, por jo për mënyrën se si ju e bëni dramën.
Sepse kjo lidhet, në fund të fundit, edhe me faktin që po kërkohet nga qeveria dhe nga mazhoranca që Kuvendi të kthehet nga një institucion vendimmarrës në një noter. Edhe këtë ne nuk e pranuam. Kjo është arsyeja pse qytetarët po dalin çdo ditë në protestë. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim protestën.
Kjo është arsyeja pse kjo propagandë që deri dje ishte alla Gëbels, ishte në maksimumin e saj dhe realisht po na mbyste, tani, të jemi të sinqertë, po bie, sepse qytetarët, në një farë mënyre, e kanë kuptuar realitetin dhe kanë kuptuar se kush është përgjegjës. Kjo është arsyeja pse po dalin në protestë.
Nuk është thjesht vetëm korrupsioni, është më shumë se korrupsioni. Është mungesa e respektit për qytetarin. Është mungesa e respektit për qytetarin dhe është një ndjenjë që secili prej nesh e ka atë zëvendësin e vogël. Nuk është thjesht për zëvendësin, por është shumë më tepër, sepse kudo që kthen kokën, sheh që nuk ka respekt për qytetarin, që nuk respektohen rregullat demokratike.
Dhe kjo është një pakënaqësi mbarëqytetare, mbarëkombëtare. Nuk është vetëm pakënaqësi e një kampi politik. Kjo është e rëndësishme, sepse u demontua, në një farë mënyre, propaganda që bëhej për çdo arritje të qeverisë. Dhe tani është thyer frika.
Ne e shohim shumë thjesht, sepse është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar. Jepet një mesazh i bukur, një intervistë ose një koment i bukur, dhe 200 mesazhet e para janë: “Bravo”, “Të lumtë”, pëlqime e të tjera. Por pas një çerek ore ke 800 mesazhe që janë negative, të cilat nuk flasin për përmbajtjen e asaj që ke thënë, por vetëm sepse është dhënë mesazhi që sulmoni.
Pra, ka filluar të bjerë. Është demontuar kjo mënyrë që ka funksionuar për shumë vite dhe ka qenë e suksesshme, sepse kjo mënyrë arriti të marrë pushtetin. Kjo arriti të marrë disa vota që nuk ishin votat e qytetarëve shqiptarë.
E morën me këtë skemë, morën edhe Shkodrën. Absolutisht, e morën me këtë skemë, por jo vetëm me këtë; ishte edhe... Prandaj Rama, qeveria dhe mazhoranca po e trajtojnë pushtetin si pronë private.
Dhe kjo është pjesa që, normalisht, deri dje qytetarët nuk kanë dashur të informohen. Fakti që qytetarët po dalin çdo ditë dhe vazhdojnë të dalin në protestë, kjo për mua është ndryshimi.
A ka marrë ndryshimi dje? A ka marrë ndryshimi sot? Nesër? Këtë nuk mund ta them, por që ndryshimi po vjen, kjo është e sigurt. Numri i qytetarëve që dalin për pakënaqësitë e tyre dhe lista e arsyeve është shumë e madhe. Kjo do të sjellë ndryshimin, në mënyrë absolute do ta sjellë ndryshimin.
Edhe Partia Demokratike, ose opozita në Kuvend, dje tregoi që ka vlera, ka vlera institucionale dhe që respekton partneritetin strategjik ose partnerin tonë kryesor.
Ndërkohë, ne nuk shkelëm Kushtetutën, nuk shkelëm procedurat. Dhamë mesazhin që ne duhet ta lexojmë marrëveshjen, sepse kjo është ajo që qytetarët duhet të kuptojnë, shqiptarët duhet të kuptojnë.
Dhe jemi të gatshëm, duke respektuar rregulloren e Kuvendit dhe duke pasur respekt për Kushtetutën, si përfaqësues të popullit shqiptar, që të themi se më 31 korrik, pra pas tre ditësh, kjo do të votohet nga ne, pasi ta lexojmë, sepse është normale që të lexohet.
Mund t’i shtojmë, mund të kërkojmë 302 milionë... Ndoshta mund të kërkojmë 400 milionë. Pse jo? Duhet. Por për mua, më e rëndësishmja është fakti që shqiptarët të kuptojnë se kush e ka bërë lojën dhe për çfarë është bërë. Pse duhet që Rama, pse po bëhej kjo lëvizje nga mazhoranca, në mënyrë që të futej opozita në kurth.