Nesho: Uashingtoni e sheh Ramën si një 'kameleon politik', fundi i tij politik po afron

I ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", ish-ambasadori Agim Nesho deklaroi se kryeministri Edi Rama po hyn në një fazë izolimi politik dhe diplomatik, duke e cilësuar atë një "kameleon politik" dhe një "limon të shtrydhur" në raport me administratën e re amerikane.

Nesho tha se, opozita nuk duhet ta legjitimojë më Ramën me debatet procedurale, por duhet ta godasë politikisht duke demaskuar propagandën, aferat klienteliste dhe marrëveshjet që i kanë shërbyer vetëm mbajtjes së pushtetit personal.

Në analizën e tij, Nesho u ndal edhe te raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke argumentuar se qëndrimi i ftohtë i Uashingtonit pas zgjedhjeve të 11 majit, mungesa e një njohjeje të qartë politike dhe heshtja e administratës amerikane janë sinjale se besimi ndaj Ramës është zbehur ndjeshëm.

 Ai shtoi se kryeministri shihet me dyshim për shkak të lëvizjeve të tij të paqëndrueshme në politikën ndërkombëtare dhe për shkak të aferave që, sipas tij, kanë komprometuar imazhin e Shqipërisë. Në përfundim, Nesho u shpreh se, edhe pse SHBA-ja ka sot prioritete të tjera gjeopolitike, pozicioni i Ramës mbetet ai i një lideri në pritje të zëvendësimit.

Pjesë nga deklarata:

Në fakt, duhet të bëj një koment, në qoftë se më lejoni, për deputetin e nderuar. Unë mendoj se jemi në një fazë ku Rama duhet të diskreditohet për atë çfarë përfaqëson në politikën shqiptare. Edhe ai Parlament, me të drejtë, lideri i opozitës e ka thënë se ai Parlament nuk përfaqëson asgjë, veçse diktatin dhe prepotencën e një regjimi, i cili nuk përfaqëson interesat e popullit. Këtë e ka treguar protesta, e cila sot është prezente në të gjithë vendin.

Prandaj, Rama nuk duhet marrë seriozisht. Unë prandaj thashë se duhet, në mënyrë asimetrike, të goditet Rama atje ku ai nuk do. Edhe duke i kritikuar të gjitha marrëveshjet klienteliste, përfituese për regjimin dhe mbajtjen e pushtetit të tij personal, që bën me individë të caktuar, të kompromentuar, siç e tha edhe Flavio, me Roni-n e të tjerë. Duke i kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës diçka më tepër në një bashkëpunim që opozita e re, e cila është alternativa e pushtetit, do ta bëjë dhe do ta sigurojë në të ardhmen. Një opozitë serioze për fatet e vendit të saj.

Pra, e para, Rama nuk duhet marrë seriozisht. E dyta, nuk duhet folur me gjuhën e procedurave, por kjo kërkon që ai të demaskohet në propagandën e tij, sepse unë jam plotësisht dakord me atë që tha Flavio, se ai e bën këtë për të intimiduar opozitën, për t’i treguar popullit protestues se "ne jemi bashkë për çështje madhore" dhe për të justifikuar aferat e tij korruptive.

Tani, pyetja juaj është shumë, shumë me vend. Cili është pozicioni i Ramës me administratën amerikane? Duhet të themi se ngjarjet e fundit kanë vënë një pikëpyetje tepër të madhe, jo sepse nuk e dinë karakterin volatil, të ndryshueshëm, të një kameleoni dhe aventurieri politik si Rama, i cili një herë del kundër Trump-it dhe përdoret nga demokratët, e një herë tjetër bën shaka në mes të Brukselit, duke tallur presidentin amerikan, i cili po ia merr iniciativat Macron-it.

Edhe, nga ana tjetër, e kompromenton veten në një biznes privat, duke mos pastruar pronësinë e tokës për elementë të lidhur me krimin dhe me investigime ndërkombëtare për bashkëpunimin e tyre të mëparshëm me mafian, me Corona Unita-n e të tjera e të tjera. Pra, vetë administrata amerikane po e shikon si një lojë të ndyrë të Ramës.

Nga njëra anë, ai ka kërkuar të ngrejë çështjen e mbrojtjes së ambientit, të ashtuquajturin "revolucion të flamingove", që Rama e ka shumë për zemër dhe që mendonte ta dominonte për t’i bërë shërbime interesave të kundërshtarëve të amerikanëve në luftën për zgjedhjet e Kongresit dhe të Senatit. Kjo është një pikëpyetje e madhe, të cilën amerikanët po e shikojnë me shumë dyshim.

Kjo është e para. E dyta, dihet se administrata amerikane dhe vetë Sekretari Rubio nuk i kanë njohur zgjedhjet e 11 majit, ku Rama insiston se ka legjitimitetin e 800 mijë votave. Po të shikosh, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është jo vetëm tepër i ftohtë, por ka edhe një deklaratë të thatë nga ambasada amerikane, e cila përgëzon popullin shqiptar. Dhe, sipas rregullave të kësaj administrate, në qoftë se ata nuk janë të bindur se zgjedhje të lira dhe të ndershme janë zhvilluar në një vend tjetër të botës, atëherë ata do të heshtin. Kjo është politika zyrtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj një vendi të tretë.

Prandaj, në të gjithë këtë situatë, ne shikojmë se veprimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rastin më të mirë ndaj Ramës, është një heshtje e plotë, për të mos rikthyer çështjen e aferës "Albanian Gate", që shtypi i madh amerikan po e ngre si një çështje të korrupsionit të familjes presidenciale. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka një qëndrim refuzues ndaj një intriganti politik, i cili, gjatë gjithë kësaj kohe, ka buburuar rreth partnerëve të tij të ndryshëm, nga një skaj në tjetrin, për të fituar pushtetin e momentit.

Pra, në konkluzion, dua të them se Rama shihet në mënyrë tepër të dyshimtë. Është fati i tij që, ende, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përqendruara te një strategji stabiliteti në Ballkan, pa e pasur fokusin te problemet e Ballkanit Perëndimor, pasi po merren me çështje të politikës globale, si Lindja e Mesme, çështja e Ukrainës, paqja në botë, marrëdhëniet me Kinën, çështja e Tajvanit, si edhe dominimin e politikës së sigurisë amerikane në të gjithë hemisferën perëndimore, duke përfshirë edhe Arktikun.

Pra, jemi në një gjendje stand-by. Por pozicioni i Ramës është si një limon i shtrydhur, që ende pret të zhduket njëherë e mirë, kur të qartësohet edhe alternativa e ardhshme.