Zbulimi shokues i aktivistit: Kryeministri në panik po kërkon 'besë' për të shpëtuar nga të fortët

Në një intervistë në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri tv pas lirimit nga ambientet e policisë, aktivisti i shoqërisë civile, Genci Shehu, ka lëshuar deklarata të forta në lidhje me protestat që po zhvillohen dhe strategjinë e fshehtë të qeverisë. I shoqëruar për herë të dytë nga forcat e rendit, ai e cilësoi aksionin masiv të qytetarëve si një bashkim përtej ideologjive, ku qindra individë konvergojnë në një qëllim të vetëm përballë pushtetit.

Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, e cila nisi me një analogji ku protesta u krahasua me një ndeshje futbolli mes gazit lotsjellës dhe përplasjeve te "porta blu", vëmendja kryesore u ndal te përdorimi i fjalës "besë" nga ana e kryeministrit.

Sipas aktivistit, referenca ndaj Kanunit për një pezullim 90-ditor të protestave nuk është aspak një thirrje drejtuar qytetarëve apo një ofertë paqeje. Përkundrazi, kjo lexohet si një lëvizje e dëshpëruar e një kryeministri të frikësuar, i cili kërkon kohë për të menaxhuar një situatë që i ka dalë jashtë kontrollit.

Analiza thellohet më tej kur ky afat 90-ditor lidhet me afatet e SPAK-ut dhe institucioneve ndërkombëtare për hetimet mbi narkoshtetin. Sipas deklaratave në studio, kreu i qeverisë duket se ndihet i kërcënuar pasi ka dhënë premtime për investime tek individë dhe grupe interesi që operojnë jashtë kornizave ligjore. Në këtë këndvështrim, "besa" po u kërkohet pikërisht këtyre të fortëve për të rregulluar dështimet e tij.

Artikullimi i aktivistit mbyllet me një mesazh të qartë dhe të prerë rreth asaj çfarë përfaqëson ky moment për vendin. Ndërkohë që qeveria ka frikën dhe përdor dhunën përmes policisë, qytetarët në shesh janë të armatosur me vendosmëri paqësore, një mjet që sipas tij, pushteti nuk duhet ta ngatërrojë kurrë me dhunën.

Flavio Qarri: Pashmangshmërisht do të flasim për protestën, protestë që ka qenë me dy pjesë, ashtu si ndeshjet e futbollit, dhe pjesën e parë ekipi ynë kombëtar luajti mirë edhe pse pësoi disa gola nga policia, por sidoqoftë edhe ata e goditën portën blu. Më pëlqeu analogjia. Një nga të arrestuarit me karton të kuq të paktën për momentin, edhe pse u rikthye në shesh pas shoqërimit të tij, Genci Shehu është me ne. Do të doja të nisja nga ty Genci. Ka qenë arrestimi yt i parë në jetë apo?

Genci Shehu: Shoqërimi i dytë, arrestim akoma

Flavio Qarri: Çështja është Genci, ti sigurisht nuk je pjesë e formacioneve politike, nuk ke një axhendë tënden, je pjesë e asaj shoqërie civile të qytetit. Çfarë do të thotë për ty vazhdimësia kaq e madhe e kësaj proteste dhe megjithatë angazhimi kaq individual i njerëzve që të gjithë janë me nga një mendje të ndryshme, me axhendë të ndryshme, me ideologji të ndryshme e megjithatë konvergojnë të gjithë tek sheshi përballë pushtetit?

Genci Shehu: Mua më duket jashtëzakonisht interesante sepse tani ka qarkulluar edhe kjo fjala 'besë'...

Flavio Qarri: Po, e promovon kryeministri.

Genci Shehu: Po e promovon... si baba kombi.

Flavio Qarri: Po besa në Kanun për shembull përdorej edhe për atë që i jepet nga familja e viktimës, dorasit, vrasësit, për një pezullim të përkohshëm të gjakmarrjes. Që do të thotë ai po lyp një pezullim të përkohshëm të protestës. Po çështja është që ai e shtron si ofertë, jo si diçka që ai po e lyp. Në qoftë se e ofron një, edhe termat e besës mund t'i lypi dorasi besën po jo edhe të ofrojë termat. Po kjo më duket si 90-ditëshi i tij si tentativë për ta kontrolluar ritmin e konfliktit e protestës. Dhe një gjë e ngjashme më duket sikur është edhe me SPAK-un. Që edhe aty është i njëjti thelb, tentohet të shtyhet vazhdimësia. Po ka dhe një 90-ditësh tjetër, meqë janë edhe amerikanët që i kanë lënë 90 ditë kohë për hetimet si narkoshtet.

Genc Shehu: Po, kjo është shumë interesante sepse ngjan sikur po i lyp besën popullit, por në fakt më duket sikur po i lyp besën atyre interesave që e mbajnë në pushtet, që ta rregullojë këtë që ka dreqosur.

Flavio Qarri: Pra mendon se po bën, në të njëjtat afate një lojë ndërkombëtare kryeministri?

Genc Shehu: Unë mendoj se ai është kapur keq sepse u ka dhënë fjalën për shumë investime shumë njerëzve të cilët guxojnë të jenë edhe jashtë termave të ligjit, më të fortë se ligji, dhe ai ndihet i kërcënuar. Ai ka frikën, dhunën e bën policia, ne kemi vendosmërinë paqësore. Vendosmëria nuk duhet ngatërruar me dhunën.