Fjalimi i fortë i Elsa Demos në protestë: Pas Teatrit dogjën pyjet dhe ndërtuan resorte

Gazetarja dhe aktivistja Elsa Demo mbajti një fjalim kritik në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, ku akuzoi qeverinë për shkatërrimin e mjedisit, trashëgimisë kulturore dhe varfërimin e qytetarëve.

Duke marrë fjalën para protestuesve, Demo tha se realiteti i zonës së Patos-Marinzës është shembulli më i qartë i papunësisë, kushteve të vështira të punës dhe mungesës së drejtësisë.

“Vij nga një vend që meriton të flitet në këtë shesh. Ai vend është Patos-Marinza, me fusha të tëra nafte ku kanë punuar prindërit dhe motrat tona. Është një zonë me papunësi, ku të rinjtë pranojnë kushte pune si në Mesjetë, ndërsa drejtësia vetëm pretendon se heton Bankers Petroleum”, u shpreh ajo.

Në fjalën e saj, Demo e cilësoi shembjen e Teatrit Kombëtar si pikën e kthesës që, sipas saj, hapi rrugën për betonizimin e vendit dhe cenimin e zonave të mbrojtura.

“Pas Teatrit u sulën zonat e mbrojtura, ku morën hov përbindëshat e betonit. Nuk ia del të sigurosh një strehë. Pas Teatrit u dogjën pyje në Darëzezë dhe Pishporo për t’i bërë resorte. Çfarë do të bëhet me pishat dhe rërën e plazhit tim të fëmijërisë?”, deklaroi Demo.

Aktivistja hodhi akuza edhe për neglizhencë ndaj trashëgimisë kulturore dhe mjedisit, duke thënë se “janë shkatërruar pyjet njësoj si bibliotekat”, ndërsa ngriti shqetësimin edhe për gjendjen e varrezave.

Në fund të fjalës së saj, ajo kritikoi ashpër edhe një pjesë të mediave, të cilat i cilësoi si instrumente propagande, ndërsa akuzoi politikën se ka korruptuar edhe elitën intelektuale të vendit.

“Bojkotojini ato top kanale, goditini te plehrat e propagandës”, tha Demo, duke shtuar se politika ka deformuar edhe figurat që dikur konsideroheshin elita e shoqërisë shqiptare.