'Po sillen sikur janë mbi ligjin'/ Kedhi: Mazhoranca po shkel Kushtetutën, PD do të vijojë qëndresën në Parlament

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka akuzuar mazhorancën socialiste se po shkel në mënyrë të përsëritur Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.

I ftuar në Syri TV në edicionin e lajmeve,  moderuar nga Edvin Parruca, Kedhi deklaroi se shumica parlamentare po vepron me arrogancë dhe pa transparencë, duke mos respektuar rregullat e parlamentit.

Sipas tij, deputetët e opozitës nuk janë njohur me dokumentacionin e marrëveshjeve dhe nuk u është dhënë mundësia të debatojnë, duke e cilësuar këtë si një sjellje që prek jo vetëm opozitën, por edhe qytetarët që ajo përfaqëson.

Kedhi tha se PD do të vijojë qëndresën në Kuvend dhe në protesta, sa herë që sipas tij shkelen ligjet dhe Kushtetuta.

Ai gjithashtu kritikoi situatën politike dhe ekonomike në vend, duke akuzuar qeverinë për krijimin e një modeli që ka sjellë largimin e qytetarëve, vështirësi ekonomike dhe rritje të ndikimit të krimit të organizuar.

Kedhi:

Është mania e mazhorancës formale në parlament për të provokuar, për të shkelur kushtetutën, për të treguar që është mbi ligjet, mbi kushtetutën e vendit. Dhe kjo është e përsëritur, nuk është se është hera e parë. Me të drejtë ju bëni pyetjen siç e bën çdo qytetar shqiptar se kur të gjithë janë dakord për diçka, pse do të duhet të shkelet rregullorja e parlamentit, pse do të duhet të shkelet kushtetuta. Dhe ky është thelbi i gjithë çfarë ka ndodhur në këto 10 vite. Përveç se është një qeveri dhe një shumicë në parlament, pavarësisht emrave që ikin dhe vijnë, që ia vështirësojnë jetën qytetarit, ia pamundësojnë jetesën në vendin e vet, është edhe një shumicë formale dhe një qeveri që do ta tregojë shkeljen, mungesën e respektit për kushtetutën, për rregullat me të cilat do të duhet të qeverisej një vend dhe do të duhet të qeverisej bashkëjetesa në një vend. Ndaj ata e bëjnë në mënyrë të përsëritur këtë.

Për shembull, rendi i ditës, sipas rregullores, njoftohet jo më vonë se dy ditë përpara seancës. Ndërkohë rendi i ditës u njoftua sot për seancën e pasdites. Deputetët nuk u njohën me tekstin e marrëveshjes. Deputetët nuk u lejuan të flisnin për këtë marrëveshje. Çdo gjë bëhet me sekret të plotë, çdo gjë bëhet me dhunë, me arrogancë. Dhe kjo nuk është se është një dhunë dhe një arrogancë ndaj deputetëve të opozitës. Kjo është një dhunë dhe një arrogancë ndaj atyre që përfaqësojnë këta deputetë të opozitës, që është sovrani, që është populli, që janë njerëzit. Ata që kanë votuar lirisht vitin e kaluar dhe kanë shprehur vullnetin e tyre lirisht, ata 500 mijë, 600 mijë që kanë arritur ta shprehin lirisht, sepse qindra e qindra mijëra të tjerë nuk kanë arritur dot ta bëjnë një gjë të tillë për shumë arsye që ne i kemi diskutuar së bashku. Dhe kjo është ajo që bëhet në mënyrë të përsëritur dhe Partia Demokratike, opozita është e vendosur që mos të lejojë shkeljen e kushtetutës, shkeljen e ligjit dhe shkeljen e rregullores në parlamentin e Republikës së Shqipërisë.

Unë ju garantoj zoti Paruca që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë Senati, qoftë Dhoma e Përfaqësuesve veprojnë, ose përpiqen në rastin më me aq sa munden që të veprojnë në interes të qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dhe asnjë nga qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do të toleronte që të shkelei kushtetuta e vendit që ata e kanë të shenjtë apo qoftë dhe rregullat e parlamentit apo rregullat që qeverisin bashkëjetesën normale në një shoqëri apo në një vend. Ndaj e njëjta gjë vlen në Shqipëri. Shqiptarët nuk janë qytetarë të dorës së dytë apo të tretë që tjetër gjë të bëhet në shtete të tjera të civilizuara dhe tjetër gjë të bëhet në Shqipëri. Dy rrugë janë, ose do ulim kurrizin të gjithë dhe do lejojmë që këta pushtues të Shqipërisë në këto 10 vite të na hipin sipër dhe të bëjnë ç'të duan, ose do qëndrojmë. Partia Demokratike, demokratët kanë qëndruar në këto 13 vite. E kanë treguar shpesh herë, e kanë treguar me protesta, e kanë treguar me betejë në parlament, në komisione dhe kudo ku ka qenë nevoja. Qytetarët shqiptarë po e tregojnë me këtë protestë që zgjat prej 50 e sa ditësh çdo ditë, çdo mbrëmje dhe me protestat që bëhen përpara parlamentit që nuk pranojnë të ulin kurrizin dhe të lejojnë të dhunohen në vendin e tyre, por duan të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre. Dhe deputetët e Partisë Demokratike dhe të opozitës e kanë treguar që nuk do lejojnë që të trajtohen në këtë mënyrë sepse ata përfaqësojnë jo vetëm veten e tyre, por përfaqësojnë 530 mijë vota. Dhe ndaj për sa herë të shkelet kushtetuta, ligjet e këtij vendi, rregulloria e parlamentit të Republikës së Shqipërisë, aq herë deputetët e Partisë Demokratike dhe të opozitës do të bëjnë qëndresën e tyre në parlament dhe nuk do lejojnë që kjo gjë të ndodhi. Është kaq e thjeshtë. Ka shkelës, ka dhe ata që mbrojnë kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi. U sulmua Ukraina, kishte një agresor dhe kishte një komb që përpiqej të mbrohej. Dhe në rastin e Shqipërisë kemi disa agresorë të cilët agresojnë qytetarin shqiptar në përditshmërinë e tij, e dhunojnë, e trysnojnë atë, e dëbojnë, përpiqen me të gjitha mënyrat që ta dëbojnë nga vendi i tij, qytetarin shqiptar, e dhunojnë kushtetutën, dhunojnë ligjet dhe e bëjnë këtë hapur, e bëjnë në mënyrë të hapur në mënyrë që të tregojnë që këta nuk pyesin për asgjë, as për ligj, as për moral, as për rend, për asgjë. Dhe kemi qytetarët shqiptarë, përfaqësuesit e tyre në parlament, në anën e opozitës që nuk do ta tolerojnë që kjo gjë të ndodhë.       

A bëhesh mbret me 800 mijë vota, është pyetja, në një republikë parlamentare? Që nuk i ka marrë është provuar tashmë në çdo cep të botës. Nuk besoj se ka qytetar shqiptar, të huaj, të madh, të vogël që nuk e di se si janë marrë ato 800 mijë votat. Raporti i OSBE/ODIHR-it thotë që është mjegulluar vija ndarëse mes partisë dhe shtetit. Pra, ne kemi sot një parti-shtet. Për çfarë zgjedhjesh mund të flasim në një parti-shtet? Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, kemi për herë të parë përmendjen e krimit të organizuar në një raport të OSBE/ODIHR-it, që zakonisht ata janë me një gjuhë të drunjtë, imagjinoni sa e rëndë është situata që i ka detyruar ata të dalin jashtë raporteve që kanë përgjithësisht. Dhe është hera e parë që përmendet në Shqipëri ndikimi i krimit të organizuar dhe është hera e parë dhe në rajonin e Ballkanit që përmendet ndikimi i krimit të organizuar. Kemi zotin Michael Gahler, eurodeputet, që pasi pa dhe monitoroi zgjedhjet vitin e kaluar në Shqipëri, u kthye në Parlamentin Europian dhe ka mbajtur një fjalë atje ku ka bërë deklaratën në këndvështrimin tim më të rëndën që unë kam dëgjuar ndonjëherë për Shqipërinë. Ai thotë, dhe këtu po e citoj tekstualisht, "krimi i organizuar mban peng rotacionin politik në vend".

Mjafton kjo fjali për të hedhur në erë të gjithë argumentin që ka marrë 800 mijë vota apo sado që mund të pretendojë ai që të ketë marrë. Nga ana tjetër, sërish zoti Gahler disa muaj më përpara, pas misioneve faktmbledhëse që bën në Shqipëri, qoftë me Partitë Popullore Europiane, qoftë me Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian në Shqipëri apo misione të tjera që kanë ardhur nga institucione të ndryshme europiane, tha sërish në mes të Parlamentit Europian që korrupsioni, krimi i organizuar, ndikimi i krimit të organizuar është ngritur në nivel sistemik. Pra nuk janë raste sporadike tek një ose dy individë, ose tek disa individë, por është ngritur në sistem dhe madje ai thotë në nivelet më të larta të shtetit shqiptar. Tani nivelet më të larta të shtetit shqiptar, besoj se e kuptojmë të gjithë se për kë bëhet fjalë. Ndaj në këtë aspekt, nuk ka asnjë njeri më të mbetur që mund ta besojë që këto 800 mijë vota janë marrë në mënyrë të lirë, të ndershme.

Nga ana tjetër, edhe sikur të ndodhte një gjë e tillë, nuk të justifikon që të bësh çfarë të duash me vendin tënd, edhe me njerëzit që të kanë besuar, realisht sado pak që ata mund të jenë në rastin e kryeministrit shqiptar. Sepse ajo që ka ndodhur këtu në Shqipëri në këto 12 vite është një gjë për t'u studiuar nga historianë, nga studiues të ndryshëm, sepse është bërë një krim nga një qeveri ndaj vendit të vet. Është tentuar të shkatërrohet Shqipëria, shqiptarët, demografia e Shqipërisë dhe të gjithë elementët që mbajnë një popull së bashku. Sot që flasim, kemi 42% të popullit shqiptar të larguar në vetëm 10 vite. Është një shifër që do të duhet të na alarmonte të gjithëve. Sepse nuk ndodh në asnjë vend normal që të largohen 42%, gati gjysma e popullsisë. Ndërkohë kemi sot që flasim, gati të gjithë qarqet në Shqipëri që janë me lindshmërinë negative. Vdekjet janë më të larta sesa lindjet. Pse ndodh kjo? Nuk ndodh sepse çiftet shqiptare nuk duan të bëjnë fëmijë, kjo ndodh sepse nuk i kanë mundësitë ekonomike. Po të shikoni një krahasim, sot të gjitha çmimet e të gjithë produkteve bazë, për të mos shkuar tek produktet e tjera të luksit, po produktet bazë, të shportës, janë shumë herë më të larta dhe janë rritur me më shumë shpejtësi sesa pagat në Shqipëri.

Nuk mund ta përballojë sot jetesën një familje normale në Shqipëri. Ishte një anketë, në mos gabohem e Institutit Republikan Amerikan, që vetëm e para 2-3 ditëve, që thoshte 57% e shqiptarëve nuk mbyllin dot muajin. Përsëritet kjo shifër dhe shifra rritet. Ishte 55% para disa muajsh. Nga ana tjetër 20% e shqiptarëve jetojnë në varfëri ekstreme. 42% e shqiptarëve mund të përballojnë vetëm gjërat më bazike për të mbijetuar, thoshte Eurostati vetëm para disa muajsh. Pra këtu jemi në një situatë emergjence në Shqipëri. Dhe përmbi këtë, përmbi vështirësitë ekonomike që i shkakton ky model, i krijuar me qëllim, që është një model i mbajtur me paratë e drogës, të narkotrafikut, kemi dhe dhunën që ushtron përditë, në forma të ndryshme, qeveria. Dhunë në përditshmërinë e qytetarit shqiptar, dhunë në përditshmërinë e sipërmarrësit, të fermerit, presion në format nga më të ndryshmet, por dhe dhunë nëpër protesta siç e pamë sot.