Protesta e 58-të në Tiranë, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë: Kërkohet largimi i Ramës
Protesta qytetare në Tiranë ka vijuar edhe këtë të hënë, duke shënuar ditën e 58-të radhazi të tubimeve kundër qeverisë.
Qindra qytetarë janë mbledhur në Sheshin “Skënderbej”, nga ku kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë ecjes në rrugët e kryeqytetit, protestuesit kanë shoqëruar marshimin me thirrje dhe mesazhe kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Pas mbërritjes para Kryeministrisë, protesta pritet të vijojë me fjalime nga pjesëmarrësit, të cilët kanë përsëritur kërkesën e tyre për ndryshim politik dhe largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë.
Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe slogane në duar, qytetarët kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin e tyre edhe në ditët në vijim, duke kërkuar plotësimin e kauzave për të cilat kanë dalë në protestë.