Dy standardet e Agron Shehajt me dokumentet sekrete, për veten hesht, akuza ndaj deputetëve të PD

Koherenca është prova më e vështirë për çdo politikan. Fjalët mund të ndryshojnë sipas kohës, por qëndrimet mbeten dhe rikthehen përballë atij që i ka mbajtur.

Kreu i partisë Mundësia Agron Shehaj për muaj me radhë sulmoi deputetët e Partisë Demokratike për firmosjen e deklaratave të konfidencialitetit në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve për dosjen Balluku të depozituar nga SPAK në Kuvend.

Ai kërkonte publikimin e dokumenteve dhe pyeste vazhdimisht se përse deputetët e PD-së nuk e nxirrnin dosjen që lidhej me çështjen e Belinda Ballukut, duke i akuzuar për mungesë transparence.

Por sot, kur një dokument konfidencial u rrëmbye nga ai, situata ndryshon.

Bëhet fjalë për marrëveshjen e huasë me SHBA-të, për të cilën kërkohet respektimi i procedurave dhe ruajtja e konfidencialitetit sipas rregullave institucionale.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja: pse standardi i transparencës që kërkohej nga të tjerët nuk zbatohet edhe për veten?

Nëse publikimi i dokumenteve ishte detyrim moral kur bëhej fjalë për deputetët e PD-së, pse nuk ndiqet i njëjti parim tani?

Një politikan nuk matet vetëm nga akuzat që bën ndaj kundërshtarëve, por edhe nga mënyra se si sillet kur gjendet vetë në të njëjtën situatë.

Rasti i dokumenteve sekrete nxjerr në pah një debat të vjetër në politikë: a janë rregullat të njëjta për të gjithë, apo ndryshojnë sipas personit që mban dokumentin në dorë?

Sepse transparenca nuk mund të jetë një kërkesë vetëm për kundërshtarët. Ajo duhet të jetë një standard që zbatohet edhe kur je vetë përballë tij.