VIDEO/ Çollaku: Rama kërkon ‘besën’ e ortakëve të dosjeve, drejtësia po vonon përballjen me pushtetin

Gazetari Basir Çollaku ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mënyrës se si funksionon raporti mes pushtetit, drejtësisë dhe personave të përfshirë në hetime për çështje të korrupsionit.

I ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, Çollaku solli në vëmendje një episod që, sipas tij, tregon dallimin mes një shteti ku ligji funksionon dhe një sistemi ku pushteti politik arrin të ndikojë mbi institucionet.

Duke iu referuar një rasti në një vend të Bashkimit Europian, ai tha se një zyrtar i lartë i dyshuar për korrupsion, në momentin e arrestimit, u përball me forcën e ligjit. Sipas tij, pyetja kryesore është nëse institucionet e drejtësisë janë të afta të veprojnë në mënyrë të pavarur përballë pushtetit politik.

Çollaku kritikoi edhe zvarritjen e proceseve hetimore ndaj zyrtarëve të lartë, duke përmendur rastin e Belinda Ballukut.

Më tej, Çollaku akuzoi Ramën se po përpiqet të ruajë një sistem marrëdhëniesh me persona të lidhur me dosje dhe interesa ekonomike. Sipas tij, përdorimi i konceptit të ‘besës’ është një mënyrë për të mbajtur të lidhura marrëdhënie politike dhe financiare.

Gazetari hodhi akuza edhe për përfitime nga kontrata publike të personave të lidhur me hetime apo botën kriminale, duke pretenduar se një pjesë e këtyre marrëdhënieve janë toleruar nga pushteti.

‘Më kujtohet, këtu isha para disa kohësh me miq të huaj, pjesë e ekipeve të rëndësishme në Bashkimin Europian, një pjesë e tillë edhe në Shqipëri. Ndonjëri prej tyre më tregoi një episod shumë interesant se cili është raporti i vjedhjes, i hajdutit me ligjin.

Para pak kohësh, tha, u arrestua një zyrtar shumë i lartë, i dyshuar, i akuzuar për korrupsion, për vjedhje. Dhe sapo i vumë prangat në një vend të rëndësishëm të Bashkimit Europian.

Dhe në momentin që i vunë prangat dhe do e fusnin në makinë, atij i shpëtoi shurra rrobave. Është e vërtetë kjo, nuk është shaka. Dhe dua të them me këtë, kujt i shpëton shurra e hajdutit? Nga prokurori dhe nga ligji, dhe nga gjykata.

Atëherë kjo është episodi që ndan demokracinë nga diktatura. Këtu te ne, të dashur miq e shokë të SPAK-ut e të juridiksionit të përgjithshëm prokurorë e gjyqtarë, a ju shpëton shurra ju nga Rama, apo Ramës prej jush? Këtu ndahet kjo mesele. Rezultatet na flasin për keq deri tani.

Kur fillojnë dhe kërkojnë nga gjashtë muaj të tjera për Ballukun. Balluku bën selfie në gjithë Shqipërinë, në parti, në qeveri, në bërxholla e të shtrira. Dhe ç'bën vartësi i Ballukut, kryeministri Rama? Shkon dhe nxjerr dokumentin historik, besa.

Është një dredhi sa leksikore, aq kanunore, aq zakonore, duke tentuar që gjoja kjo fjalë mbahet... Shqiptarët, është edhe delikat ky hulumtimi rreth institucionit të besës se kërkon diçka për të mos bërë një gjë, apo për të bërë diçka?

Po nuk është vetëm SPAK-u, ka dhe të blerë nga SPAK-u në gjykata, mos kujtojnë se kemi shenjtorë atje ne. T'i harrojmë këto histori. Por ka dhe diçka tjetër. Ai kërkon t'u lidhë besën ortakëve të tij të marrëveshjeve, të dosjeve. Të lidhë besën me inceneratorët, me Sinaloan, me Ndraghetën, me Arubën...

Ai është presion të padiskutueshëm, i reflektuar edhe në tenderat që kanë marrë grupet kriminale që kanë përfaqësuesit e tyre në burg. Edhe Beqiri ka marrë tender. Edhe ai që është i arrestuar në Greqi në dosjen e Aruba ka marrë tender.

Po të marrim grupet kriminale të trafikut të kokainës, në harkun e një viti kanë marrë qindra milionë euro tendera. Edhe pas shpërthimit të protestës, edhe pas arrestimit të tyre që janë në burg, edhe pas akuzave të rënda për tonelata të trafikut të kokainës.

Pra, kjo para e lejuar për t'u pasuruar prej tij, dhe e firmosur për t'u pasuruar prej kryeministrit Edi Rama, e di ai, se vërdallisesh sa të duash ti, ai nuk mund t'u thotë jo atyre. Dhe ai po kërkon besë prej tyre. Për çfarë arsye kërkon? Që mos ta vrasin? Që ata të mos pendohen dhe të shkojnë në të sëmës të rrëfehen tek organet e drejtësisë se çfarë kanë bërë me të dhe për të, dhe për miqtë e tij, vendas dhe të huaj. Kam bindjen se çdo i huaj që mbështet Edi Ramën është i korruptuar, o kërkon destabilizimin e Shqipërisë. Nuk ka arsye tjetër.

E shohim këtu dhe përputhjen e asaj të eurodeputetit çek që familjarët e Edi Ramës i kanë çuar para jashtë, kjo dhe në tendera dhe shumë të tjera. Kush janë? Ne e kemi përmendur bashkërisht. Njerëzit e familjes që çojnë para jashtë, o dyshohen për gjë të tillë, është Rama, bashkëshortja, vëllai, e thjeshtra që është pjesë e këtyre pjesëve të arkitekturës dhe projekteve.’, tha ndër të tjera gazetari Basir Çollaku në SYRI TV.