Rama bën antikushtetuese marrëveshjen me SHBA, PS fut marrëveshjen me procedurë të përshpejtuar

 

Seanca e fundit plenare për këtë sesion u shoqërua me debate të forta, ndërsa mazhoranca e Edi Ramës shkeli Kushtetutën, duke miratuar me procedurë të përshpejtuar brenda një dite marrëveshjen e huas me SHBA-të. Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se Partia Demokratike është pro marrëveshjes, por kryeministri po e kalon projektligjin në mënyrë antikushtetuese. Marrëveshja është mbajtur sekret edhe për deputetët që duhet ta votonin dhe parashikon një kredi prej 302 milionë eurosh që do të përdoret për Ushtrinë Shqiptare.

SYRI TV

Në shkelje të Kushtetutës, kryeministri Edi Rama urdhëroi miratimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar nisjen e procedurave, shqyrtimin dhe diskutimin brenda një dite. Vendimi i mazhorancës solli tensione në seancën e fundit për këtë sesion, pasi opozita kërkoi miratimin e marrëveshjes ditën e nesërme, në respektim të Kushtetutës, e cila edhe në rastin e një projektligji me procedurë të përshpejtuar kërkon miratimin jo më parë se një javë nga nisja e procedurave.

Por mes debateve, socialistët zbatuan urdhrin e qeverisë duke thirrur një seancë në orën 15:00 për të miratuar marrëveshjen.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi mbështetjen për marrëveshjen e huas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por akuzoi kryeministrin Edi Rama se po kalon marrëveshjen në mënyrë antikushtetuese, pasi ka dështuar të sigurojë buxhetin që kërkon NATO.

Në të njëjtën linjë ishte edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

Jo vetëm në shkelje të Kushtetutës, por marrëveshja u mbajt sekret edhe nga deputetët e opozitës, të cilëve në vend se t’u vihej në dispozicion teksti i projektligjit, u detyruan të shkonin në sekretarinë e Kuvendit, ku u shënua edhe një incident, pasi deputeti Agron Shehaj mori marrëveshjen dhe u largua.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Partia Demokratike vendosi të mos bëhet pjesë e seancës antikushtetuese.

Ndërsa Partia Socialiste vendosi që të zhvillojë me dyer të mbyllura diskutimet në seancën plenare për miratimin e marrëveshjes, në fshehtësi dhe duke larguar mediat, me justifikimin se marrëveshja është konfidenciale.