Logu: Pesë shkelje kushtetuese të mazhorancës socialiste në seancën e sotme
Sekretari i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore ne PD, Marash Logu ka reaguar pas seancës së sotme të parlamentit, ku akuzon mazhorancën socialiste për të paktën 5 shkelje të bëra gjatë ditës së sotme.
Reagimi i Marash Logut:
Pesë shkelje kushtetuese të mazhorancës socialiste në seancën e sotme plenare
1. Seanca plenare e orës 15:00 u njoftua në ora 10:00 në kundërshtim me nenin 75, pika 2 të kushtetutës dhe nenin 27/1, pika 3 të rregullores së kuvendit (rendi i ditës duhet të njoftohet jo më vonë se 2 ditë përpara seancës plenare).
2. Vendimi për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huasë dhe miratimi i tij u krye në të njëjtën ditë në kundërshtim me nenin 83, pika 2 të kushtetutës dhe nenin 28, pika 4 të rregullores së kuvendit (shqyrtimi dhe miratimi nuk mund të bëhen pa kaluar të paktën një javë).
3. Deputetëve nuk iu dha mundësia të njihen me tekstin e marrëveshjes dhe relacionin shoqërues në kundërshtim me nenin 75, pika 2 të kushtetutës dhe nenin 69, pika 2 të rregullores së kuvendit (kryetari i kuvendit urdhëron menjëherë shpërndarjen e projektligjeve dhe relacionit shoqërues).
4. Deputetëve nuk iu dha mundësia të njihen me raportin që përligj shpenzimet financiare në kundërshtim me nenin 82, pika 1 të kushtetutës dhe nenin 68, pika 2 të rregullores së kuvendit (çdo projektligj me karakter financiar, duhet të shoqërohet me raportin që përligj shpenzimet financiare).
5. Deputetëve iu mohua liria e shprehjes, të lidhur me debatin parlamentar, të drejtën e paraqitjes së amendamenteve dhe votimit të informuar në kundërshtim me nenin 2, pika 2, nenin 70, pika 1 të kushtetutës, nenin 46, pika 1, nenin 48, pika 1 dhe nenin 4, pika 3, nenin 5 të ligjit për statusin e deputetit (deputeti ka të drejtë të shprehë lirisht mendimet e tij dhe të zgjedhësve nëpërmjet diskutimeve, propozimeve, debatit, interpelancave dhe pyetjeve, mocioneve, deklaratave dhe votës; deputeti iu merr mendime dhe informon zgjedhësit për projektligjet që shqyrtohen në parlament).