Lazio përgatit goditjen e verës, sinjale pozitive për Armando Brojën
Armando Broja mund ta vazhdojë karrierën në Serie A, me Lazion që ka rikthyer në radar sulmuesin e Kombëtares së Shqipërisë.
Klubi italian është në kërkim të një përforcimi në repartin ofensiv dhe emri i 24-vjeçarit shqiptar po fiton gjithnjë e më shumë terren.
Sipas raportimeve nga Anglia, Burnley ka dhënë sinjale pozitive për largimin e Brojës gjatë kësaj vere.
Klubi anglez është i gatshëm ta lejojë transferimin e sulmuesit në formë huazimi, duke mos vendosur si kusht një detyrim për blerje në fund të sezonit.
Në vend të kësaj, Burnley preferon që marrëveshja të përfshijë vetëm të drejtën e blerjes, një formulë që konsiderohet më e favorshme për Lazion dhe që mund të lehtësojë arritjen e marrëveshjes mes palëve.
Broja, i lindur në vitin 2001, mbetet një profil i vlerësuar në tregun europian, pavarësisht sezonit të vështirë të kaluar me Burnleyn.
Tashmë mbetet të shihet nëse Lazio do ta konkretizojë interesimin dhe do ta transferojë shqiptarin në elitën e futbollit italian.