Reshjet paralizojnë Kosovën/ Rahoveci dhe Prizreni nën ujë, dëme të mëdha dhe kaos në qarkullim
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Kosovës, duke krijuar probleme të mëdha në qarkullimin rrugor dhe dëme të konsiderueshme në bujqësi. Më të prekura janë komuna e Rahovecit dhe qyteti i Prizrenit, ku uji ka mbuluar rrugë, oborre banesash dhe sipërfaqe të tëra bujqësore.
Në Rahovec, sipas pamjeve të publikuara nga mediat lokale, sasi të mëdha uji kanë përmbytur rrugë të shumta lokale, ndërsa në disa raste uji ka depërtuar edhe në oborret e banesave, objekteve të ndryshme dhe parkingjeve nëntokësore.
Përmbytjet kanë prekur edhe disa fshatra të komunës, ku janë dëmtuar sipërfaqe të konsiderueshme të tokave bujqësore. Banorët raportojnë humbje të mëdha në kulturat e hershme bujqësore, ndërsa pritet vlerësimi zyrtar i dëmeve nga institucionet përgjegjëse.
Pamjet nga zonat e prekura tregojnë automjete që lëvizin me shumë vështirësi në rrugët e mbuluara nga uji. Në disa segmente, niveli i ujit ka qenë aq i lartë sa ka bllokuar plotësisht qarkullimin, ndërsa disa mjete janë mbuluar pjesërisht nga uji.
Probleme janë shënuar edhe në Prizren, ku reshjet kanë përmbytur disa nga rrugët kryesore të qytetit, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Situata ka rënduar edhe trafikun në hyrje të qytetit, në aksin që lidh autostradën e Kosovës me pikën kufitare të Vërmicës.
Fluksi i shtuar i mërgimtarëve që po kthehen për pushime në Kosovë, i kombinuar me përmbytjet, ka sjellë ngarkesë në qarkullim. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës, në pikën kufitare të Vërmicës pritjet në hyrje nga Shqipëria kanë qenë nga 5 deri në 10 minuta, ndërsa gjatë orëve të para të ditës është regjistruar një kolonë automjetesh me gjatësi rreth 40 metra.
Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit dhe të shmangin segmentet e përmbytura, ndërsa ekipet përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës në zonat e prekura.