Marrëveshja me SHBA/ Baçi: Rama kërkon të injorojë kushtetutën dhe të detyrojë deputetët të votojnë si dele

Debate të ashpra kanë përfshirë Kuvendin e Shqipërisë lidhur me një projektligj për një hua prej 302 milionë eurosh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndonëse marrëveshja me partnerin strategjik gëzon mbështetjen e plotë të opozitës, kjo e fundit ka denoncuar ashpër procedurën e përshpejtuar dhe mungesën e theksuar të transparencës nga ana e mazhorancës socialiste.

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, gjatë një interviste me moderatorin Bled Marku në edicionin e lajmeve të mesditës në Syri tv, ka theksuar se kreu i qeverisë po e trajton Parlamentin si një noter privat. Deputeti sqaroi se mazhoranca kërkon që ligjvënësit të votojnë në mënyrë të verbër, pa pasur asnjë informacion mbi draftin që u është kërkuar të miratojnë, duke shkelur rregullat parlamentare dhe Kushtetutën.

Sipas informacioneve të bëra publike gjatë intervistës, qeveria e ka miratuar këtë draft që në muajin qershor dhe e ka mbajtur të fshehtë për më shumë se pesë javë. Më pas, ligji është dërguar papritur për votim të shpejtë. Deputetëve nuk u është lënë në dispozicion koha e përcaktuar me ligj prej të paktën një jave për t'u njohur me dokumentin pas depozitimit të tij në Kuvend.

Është ngritur si shqetësim fakti se ministrat që nuk kanë mandat deputeti kanë qenë në dijeni të detajeve të marrëveshjes sekrete, ndërkohë që përfaqësuesve të popullit u është mohuar ky informacion, madje duke u ofruar një lexim "kolektiv" të tekstit në minutat e fundit, e cilësuar si një qasje fyese ndaj institucionit të Kuvendit.

Është garantuar vota pro për çdo pakt me SHBA-në, por është kërkuar thirrja e një seance tjetër parlamentare për të shqyrtuar draftin konform rregullave kushtetuese, duke refuzuar injorimin institucional dhe trajtimin e deputetëve në mënyrë jodemokratike.

Bled Marku: Kam kënaqësinë të kemi në një komunikim online deputetin e Partisë Demokratike, zotin Luan Baçi. Atëherë ta nisim menjëherë pasi ditën e sotme ka pasur debate në Kuvend përsa i përket një projektligji për një hua që do merret nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vlerën e 302 milionë eurove. Me sa duket është cilësuar nga Partia Demokratike si antikushtetuese, madje dhe seanca e thirrur në mënyrë të përshpejtuar e futur e këtij projektligji në seancë parlamentare është antikushtetuese. Sigurisht janë mediat e majta të cilat thonë se Partia Demokratike nuk i mbështet marrëveshjet me SHBA. Çfarë do të thotë kjo shkelje kushtetuese nga ana e Ramës dhe qëndrimi i Partisë Demokratike, saktësisht?

Luan Baçi: Për t'i thënë gjërat shumë konkretisht dhe shumë të qarta. Së pari, më lejoni të them që Rama është mësuar që Parlamentin ta ketë si një noter ku në mënyrë të verbër me sy mbyllur, pa dëgjuar dhe pa shikuar, të miratojë dhe të votojë çdo projektligj, draft-ligj apo çdo marrëveshje që sjell Rama dhe qeveria e tij. Së pari.

Së dyti, më lejoni të them që po të vësh re në të gjithë ecurinë dhe historikun e këtij Parlamenti, gjatë viteve që Rama ka qeverisur, është munduar që ta kompleksojë opozitën me marrëveshjet që mund të jenë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kërkon që ato t'i paraqesë sikur janë arritje të Ramës. Rama harron që këto marrëveshje që bëhen me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë marrëveshje në kuadrin e NATO-s. Dhe harron, ose do që të harrojë, bën sikur harron, se në fakt e di mirë që ka qenë Partia Demokratike me kryeministër Sali Berishën që ka bërë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Por po përqendrohemi tek marrëveshja e sotme.

Kjo marrëveshje është miratuar nga qeveria që në 19 qershor të 2026-ës dhe kanë kaluar pesë javë, ku kishte kohë Rama dhe qeveria e tij për ta sjellë dhe për ta ratifikuar në Parlament, për të marrë votën e parlamentarëve. Partia Demokratike, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, Kryetari i Partisë Demokratike, e kanë thënë publikisht dhe e themi që të gjithë publikisht që çdo marrëveshje me partnerin tonë strategjik, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e mirëpranuar, është e gjithëpranuar dhe patjetër që miratohet dhe votohet nga ne. Por, edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ata që thonë për të respektuar ligjet e Kushtetutës. Çfarë e pengoi qeverinë e Ramës dhe vetë Ramën për ta sjellë gjatë këtyre pesë javëve? Çfarë e pengon atë dhe kërkon që ta kalojë me procedurë të përshpejtuar pa ua vënë në dispozicion deputetëve të njihen me këtë marrëveshje? Pavarësisht sekretit që kjo ka, por kemi të bëjmë me deputetë në Parlament, nuk kemi të bëjmë, derisa e di qeveria, që në qeveri Rama nuk ka, ka dhe ministra që s'janë deputetë, dhe qeveria domethënë e ka miratuar një gjë të tillë.

Bled Marku: Zoti Baçi, a mundet një deputet të miratojë një marrëveshje ku ka zero informacion zoti Baçi? Pasi nuk është lënë as ta lexojnë.

Luan Baçi: Po patjetër që jo. Po patjetër që jo. Unë si deputet do ta quaja veten të ofenduar, të injoruar, që të më kërkohet të votoj një marrëveshje me këdo qoftë ajo, me kushdo qoftë marrëveshja që do të bëhet, pa e lexuar, pa ditur brendësinë e saj dhe gjithmonë duke ruajtur sekretin. Flasim për deputetë. E thashë pak më lart, jo pa qëllim e thashë, e kanë miratuar në qeveri, e di qeveria këtë punë, e dinë edhe ministra që nuk janë deputetë. Atëherë si ka mundësi që kjo t'u kërkohet deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë dhe aq më tepër deputetëve të opozitës? Që të votojnë me procedurë të përshpejtuar pa iu vënë në dispozicion kohën e domosdoshme, të nevojshme, dhe duke shkelur Kushtetutën. Pasi duhet që nga momenti që publikohet në faqen e Kuvendit, duhet të paktën nuk mund të vijë një marrëveshje apo një ligj para një jave, dhe këtë kohë deputetët e duan në dispozicion.

Ata dje e depozituan në Parlament dhe sot kanë kërkuar që t'ua vënë në dispozicion deputetëve, madje, për të qeshur është ta lexonin si kolektiv në mënyrë kolektive, njëlloj siç lexonin gazetat në kohën e paraardhësit të tyre, në mënyrë kolektive të lexohej dhe pastaj të futeshin si delet për ta miratuar. Kjo është e turpshme, kjo është e frikshme madje për këtë regjim dhe këtë autokrat që është në krye të qeverisë. Kërkon të injorojë Parlamentin, kërkon të ofendojë Parlamentin, kërkon të injorojë Kushtetutën, të shkelë Kushtetutën në mënyrë të ndërgjegjshme bën një gjë të tillë, për t'i dhënë vetes fuqitë që nuk i ka, që këtu bëhet çfarë thotë Rama dhe duhet të votohen siç thotë Rama me sy mbyllur dhe me veshë mbyllur. Pra, kjo është një turp i vërtetë, me të drejtë Partia Demokratike ka bërë një deklaratë publike ku garanton votën pro kësaj marrëveshjeje, absolutisht votën pro kësaj marrëveshjeje, por duke mos shkelur Kushtetutën, duke mos shkelur ligjet, se kjo është në nderin e Shqipërisë…