Teherani ndal ofensivën hakmarrëse ndaj aleatëve të SHBA-së, por paralajmëron veprime të reja në rajon

Teherani tha se ka ndalur sulmet hakmarrëse kundër aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, teksa Uashingtoni u përmbajt nga sulmet ndaj Iranit për natën e dytë radhazi.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë ushtarak në Teheran kërcënoi se Irani mund t’i zgjerojë sulmet në mbarë rajonin, duke lënë të kuptohet se rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, mund të intensifikojnë sulmet ndaj anijeve që lundrojnë në Detin e Kuq.

Qetësia gjatë natës së 26 korrikut erdhi vetëm dy ditë para një takimi kyç të planifikuar në Uashington mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Vizita e 28 korrikut përkon saktësisht me pesëmujorin e nisjes së një fushate të gjerë sulmesh ajrore ndaj caqeve iraniane nga forcat amerikane dhe izraelite.

Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe praktikisht e ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit, rrugën strategjike detare përmes së cilës rëndom kalon një sasi e madhe nafte dhe gazi drejt tregjeve botërore.

Në javët e fundit, Uashingtoni shpalli një armëpushim të pjesshëm, megjithëse para 24 korrikut kishte kryer bombardime të pandërprera ndaj caqeve iraniane për pothuajse dy javë.