Berisha: Do informojmë SHBA për këtë akt të shëmtuar që bën Rama vetëm pse deputetët e tij janë në vakanca

Kreu i opozitë shqiptare Sali Berisha tha gjatë një deklarate për mediat se do “informojmë autoritetet e SHBA për këtë akt të shëmtuar që bën Edi Rama vetëm e vetëm se deputetët e tij janë në vakanca”.

Zoti Berisha, mund të jemi të qartë për qëndrimin e opozitës, ju do jeni prezent në parlament në orën 15:00?

Sali Berisha: Qëndrimi i opozitës a do jetë apo nuk do jetë në parlament, nuk ka asnjë rëndësi.

Rëndësi ka që opozita në mënyrë absolute nuk do të pranojë kurrë të votojë në procedura antikushtetuese, të faktuara nga Gjykata Kushtetuese, të faktuara nga Kushtetuta.

Ne kërkojmë zbatimin e Kushtetutës dhe ne do informojmë për këtë të gjitha nivelet autoritetet e qeverisë së SHBA për këtë akt të shëmtuar që bën Edi Rama vetëm e vetëm se deputetët e tij janë në vakanca.

A do ta atakojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e sotëm PD?

Sali Berisha: Nuk ka rëndësi ajo fare, rëndësi ka që këtu shkelmohet Kushtetuta, se Gjykata Kushtetuese para një muaji ka vendosur, ka thënë që kjo procedurë ishte jokushtetuese.

Gjykata gjykon procedurën, kjo është haptas jokushtetuese.

Peleshi e pranoi vetë, dje kanë bërë negociata me zotin Bardhi që votimi të bëhet ditën e premte sepse e kërkon Kushtetuta.

Tani këta nuk kanë Kushtetutë, këta e kanë Kushtetutën një letër të vdekur, kaq.

Zoti Berisha, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, do e firmosni deklaratën e konfidencialitetit për të mësuar më shumë rreth kësaj marrëveshje?

Sali Berisha: Rreth kësaj marrëveshje, unë do ta lexoj sigurisht dhe do ta firmos, unë nuk kam këtu asnjë vërejtje, pavarësisht se Edi Rama po mashtron me përqindjen e buxhetit për mbrojtjen sepse ajo është 1.3 përqind, është kaq, të tjerat janë mashtrime. Sa shkon me 300 milionë, duhet llogaritur.

Por qëndrimi i tij në shkelmim të Kushtetutës, shfrytëzimi i një marrëveshje, i një kredie të SHBA, duke shkelmuar Kushtetutën, është fytyra e tij e vërtetë.