Blushi: Kuvendi i Ramës është kthyer në noter të qeverisë, shkelet Kushtetuta dhe injorohen qytetarët

Pas përfundimit të seancës plenare, sekretari i përgjithshëm i PL, Tedi Blushi u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë po shkel hapur procedurat kushtetuese dhe po funksionon jashtë rregullave parlamentare, duke akuzuar mazhorancën se po miraton marrëveshje të rëndësishme në mënyrë të njëanshme dhe pa kaluar në filtrat e nevojshëm institucionalë.

Blushi deklaroi se kjo mënyrë funksionimi cenon rëndë besimin te parlamenti dhe marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa e krahasoi sjelljen e mazhorancës me një veprimtari jashtë standardeve të një shteti demokratik.

Sekretari i përgjithshëm i PL ngriti gjithashtu akuza të forta për keqpërdorimin e fondeve publike, duke përmendur aferën e inceneratorëve dhe projektet infrastrukturore të pambaruara si shembuj të keqmenaxhimit të parave të qytetarëve. Ai kërkoi rikthimin e Kuvendit në respektimin e Kushtetutës dhe kritikoi mënyrën e trajtimit të protestuesve jashtë sallës së parlamentit.

Në fund të deklaratës, Blushi u ndal te tensionet jashtë Kuvendit, duke ironizuar deputetët qëkanë frikë nga reagimi qytetar dhe duke kërkuar ndaljen e presionit ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

Pjesë nga deklarata:

Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të trajtohet si grupi komunist ilegal i Korçës nga Niko Peleshi, i cili nuk është partizani i Mekës, por ka një eksperiencë shtetërore. E di se sa e rëndësishme është respektimi i procedurës kushtetuese të një marrëveshjeje, e cila, me mënyrën se si po kalon për miratim në Kuvend, nuk bën asgjë tjetër veçse cenon seriozisht marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Është një marrëveshje e cila meritonte të shqyrtohej sipas rregullores në komisionet parlamentare dhe më pas të miratohej në Kuvendin e Shqipërisë, për më tepër kur asnjë deputet nuk është kundër saj.

Për më tepër, më lejoni të theksoj që do të mjaftonte fakti që të mos kishim një aferë si ajo e inceneratorëve prej 430 milionë eurosh, të mos kishim një rrugë si ajo Qukës-Qafë Plloçë prej rreth 300 milionë eurosh të pambaruara, pra të gjitha paratë të futura në xhepin e Edi Ramës, të mos kishim një aferë si ajo e inceneratorëve, rrugëve etj., në mënyrë që Republika e Shqipërisë të mos kishte nevojë të merrte asnjë hua për hajdutërinë e Edi Ramës.

Edhe një herë ritheksoj domosdoshmërinë e rikthimit në shinat kushtetuese të jetës parlamentare. Një marrëveshje kaq e rëndësishme nuk mund të miratohet në ilegalitet nga Kuvendi i Shqipërisë, sepse kjo mënyrë, dhe për më tepër në mënyrë thellësisht antikushtetuese, nuk bën asgjë tjetër veçse cenon marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Boll i ka cenuar këto marrëdhënie hija e zezë e Charles McGonigal. Nuk ka nevojë Kuvendi i Shqipërisë të sillet në një mënyrë thellësisht antikushtetuese, për më tepër kur jemi jo më pak se dy apo tre muaj larg një tjetër vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që ka tërhequr vëmendjen e Kuvendit të Shqipërisë për të tilla sjellje, të cilat shkelin me të dyja këmbët Kushtetutën e vendit.

Së dyti, më lejoni të theksoj edhe një herë domosdoshmërinë e ndaljes së represionit kriminal, njerëzor, barbar ndaj protestuesve paqësorë.

Në qoftë se një deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka frikë të vijë në këtë sallë, ai nuk meriton më... Pra, ka frikë nga vezët, ka frikë nga domatet, ai nuk meriton më të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Janë të papranueshme skenat e terrorit sa herë ka seanca plenare ndaj qytetarëve, të cilët nuk kërkojnë asgjë më shumë veçse rikthimin e vendit në shinat kushtetuese dhe funksionimin normal të një shteti, i cili, për fat të keq, është kthyer në një bandë mafioze që edhe ligjet, këto ligje kaq të rëndësishme, këto marrëveshje kaq të rëndësishme, i trajton në një mënyrë po kaq antikushtetuese.

Ndaj, e përsëris edhe një herë thirrjen drejtuar Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që të ndalojnë urgjentisht sjelljen kriminale, barbare, terroriste ndaj qytetarëve protestues, në veçanti ndaj jush, gazetarëve, ndaj njerëzve në nevojë, të cilët vijnë aty dhe protestojnë për të drejtat e tyre legjitime dhe trajtohen sikur të ishin armiqtë e Republikës së Shqipërisë.