Braktisje totale nga institucionet për fëmijët autikë, Zajmi: Një njeri që bullizon një të pamundur nuk është normal…
Në një kohë kur deklaratat zyrtare trumbetojnë rritjen e mbështetjes për familjet e fëmijëve me autizëm, realiteti i përditshëm flet për një situatë krejtësisht ndryshe. Çlirim Zajmi prind i cili prej 21 vitesh kujdeset për vajzën e tij me autizëm ishte i ftuar ne “Kafe Shqeto” në Syri tv, dhe ka denoncuar publikisht braktisjen totale nga institucionet shtetërore sapo fëmija mbush moshën madhore.
Gjatë një bisede me moderatorin Flavio Qarri ai zbuloi një rast absurd ku një punonjëse sociale e Bashkisë Mat ka kontaktuar familjen për t'u ofruar ndihmë financiare dhe terapi në shtëpi, vetëm për të tërhequr gjithçka mbrapsht sapo u informua se vajza ishte 23 vjeçe. Sipas rregullave të denoncuara, shteti e ndërpret mbështetjen për terapitë dhe lehtësirat e tjera kur personat me autizëm mbushin 18 vjeç, duke krijuar përshtypjen e gabuar se pas kësaj moshe sfidat zhduken.
E vërteta është krejt e kundërta. Fëmijët në moshë të mitur janë shumë më të lehtë për t'u menaxhuar nga prindërit, të cilët ndërkohë gëzojnë më shumë fuqi fizike dhe rini. Me rritjen e fëmijëve, shtohen shpenzimet, agresiviteti dhe vështirësitë fizike për t'u kujdesur për ta. Në këtë fazë kritike, kur kërkohet mbikëqyrje e pandërprerë 24 orë në ditë, familjet lihen të vetme përballë një beteje rraskapitëse psikologjike, fizike dhe ekonomike.
Kjo mungesë e plotë e mbështetjes ligjore dhe morale dëshmon dështimin e thellë të sistemit, i cili sipas dëshmive, mjaftohet me retorikë politike por pa asnjë ndihmë jetike për njerëzit në nevojë. Rasti thekson nevojën urgjente për ndryshimin e ligjeve dhe rishikimin e skemave shtetërore të ndihmës, pasi braktisja e një personi me aftësi të kufizuara për shkak të moshës përbën një shkelje të hapur të të drejtave thelbësore të njeriut.
Flavio Qarri: Atë nënën... atë nënën me fëmijën me spektër autik, të cilën korbat e kishin marrë me vete. Këto kanë qenë momentet, të cilat besoj i ke ndjekur. Dua komentin tënd të parë.
Çlirim Zajmi: Në rastin konkret ka bullizuar një prind. Para disa kohësh na bullizoi të gjithëve, me një fjalë masivisht. Çfarë bëmë ne? I dhamë vota më shumë. Kështu që ai çdo gjë e bën, sipas mendimit tim, është koshient për veprimet që bën, është shumë i përgjegjshëm, nuk është pa qëllim. Unë kam filluar të mendoj, mbas analizave që i bëj vetes, që është problem i shoqërisë, nuk është problemi i atij. Ai çdo gjë e ka të kontrollueme. Ai tjetri që është në burg, thotë të Tiranës janë s'dromsa, këto Dibranët janë çyryk, u bë dy-tre herë me fëmijët. Ndërkohë kur bullizon fëmijët me autizëm, i ka bullizuar gjithë familjen. Edhe babën, edhe nënën, edhe vëllain, edhe motrën. Të shohësh një njeri që bullizon një njeri të pamundur, pavarësisht kufizimeve, unë s'e quaj normal. Por kronologjia tregon që ai është i vetëdijshëm për atë që bën. Nuk janë pa dashje.
Flavio Qarri: E kuptoj. Ndërkohë, pas kësaj deklarate Kryeministri nxitoi të thoshte që ajo nëna nuk është e informuar për rritjen e standardit të mbështetjes...
Çlirim Zajmi: Bravo, këtu desha me dalë me një vend. Unë kam, Jona është 23 vjeç. Me një fjalë, 23 vjeç, 2 vjeç e kemi marrë vesh që është me autizëm. Me një fjalë, 21 vjet unë jam baba i vetëdijshëm që kam një fëmijë me autizëm. Para një muaji, më ka ndodhur... telefonata e parë nga shteti. Më merrin në telefon: "Babi i Jonës?" "Babi i Jonës". "Kush jeni juve?" "Jam një punonjëse sociale e Bashkisë Mat". Tha, "numrin tënd e kam marrë te njësia bashkiake, te letrat e kempit". "Po" tha, "kemi një lekë shoqërie, 120 mijë lekë të vjetra". Ok thashë unë. "Kanë ndryshuar ligjet", tha, "ofrojmë terapinë në shtëpi, me një fjalë e sjellim në shtëpi, është rritur dhe ajo... pagesa, gjëra të tilla", tha. "Deri në moshën 18 vjeç". I thashë "Po Jona është 23". Tha "Ua, sa s'e përfiton. Po mirë" tha, "punë për ty". I thashë "Punë, në punë jam". "Po për bashkëshorten?" I thashë "Po bashkëshortja paguhet nga juve", i thashë, "që rri me Jonën, se Jona është me autizëm, në nivelin e katërt". I thashë, "paguhet nëna vetë. Nuk është e vetëdijshme, ajo del, ikën, s'vjen, agresive, e gjërat që ka Jona, se autizmi është i ndryshëm". Unë flas për Jonën. Me një fjalë, ajo e kishte marrë një iniciativë të marrë, e më mori në telefon pa pasë me një fjalë idenë se kë po merr dhe çfarë kishte. Dhe doja t'ia bëja si pyetje gjithë prindërve: a i ka ndodhur ndonjërit tjetër kjo apo më ndodhi mua ngaqë jam person publik, e ku di unë, dola atje në protestë ca ditë, aq kisha mundësi... Dhe doja t'ia shtroja si pyetje: kanë marrë njeri tjetër në telefon apo vetëm mua?
Flavio Qarri: Tani pretendimi i Kryeministrit është që e ka rritur në mënyrë të ndjeshme mbështetjen ndaj familjeve dhe personave me autizëm.
Çlirim Zajmi: Konkretisht për mua, s'ka rrit asgjë, se Jona nuk përfiton as terapinë që thotë ofrojmë nëpër shtëpia, as kempin se, me një fjalë, Jona është 23 vjeç.
Flavio Qarri: Po më fal një sekondë, a ka ndonjë parashikim që pasi bën 18 vjeç një fëmijë i zhduket autizmi?
Çlirim Zajmi: Jo, i rriten kërkesat. I rriten shpenzimet, unë me sa di. Tashi ndoshta u lehtësohen. Po si u lehtësohen?! Tashi varet, se autizmi është i gjerë shumë.