Kalaja: Djegia e plehrave po helmon Fushë-Krujën, kjo është 'pasaporta europiane' e Ramës

I ftuar në një lidhje Skype në emisionin "Kafe Shqeto" në Syri Tv, Kryetari i PD-së Krujë, Aulon Kalaja u shpreh se banorët e Fushë-Krujës dhe fshatit Halil po përballen me një situatë alarmante nga ndotja e shkaktuar prej djegies së mbetjeve, ndërsa akuzoi institucionet se kanë dështuar të ndërhyjnë për zgjidhjen e një problemi që po dëmton shëndetin e qytetarëve.

Kalaja deklaroi se tymi dhe erërat e rënda janë kthyer në një realitet të përditshëm për banorët, duke bërë që disa familje të largojnë fëmijët nga zona për shkak të ndotjes. Ai tha se kjo situatë është në kontrast të plotë me pretendimet e qeverisë për integrimin europian, duke ngritur pikëpyetje mbi përmbushjen e standardeve mjedisore të kërkuara nga Bashkimi Europian.

Ai theksoi se, djegia e mbetjeve në një zonë pranë një prej destinacioneve më të vizituara turistike të vendit, Krujës, dëmton jo vetëm shëndetin e banorëve, por edhe imazhin e Shqipërisë përballë turistëve dhe partnerëve europianë.

Pjesë nga intervista:

Po pra, po ju thoja që ekziston një fshat në Republikën e Shqipërisë që s’ka hapur kurrë dritare dhe ai quhet fshati Halil, sepse në verë kemi ngritjen e avujve, të erërave të pakëndshme dhe në dimër është e njëjta gjë. Pra, janë njerëz të cilët vuajnë përgjithësisht nga sëmundjet e organeve të frymëmarrjes.

Prindërit më shkruajnë që e kanë shumë problem dhe i kanë çuar fëmijët te dajtë, domethënë nuk po i lënë aty, duke i çuar nëpër zona të tjera, aty ku kanë marrë, ku kanë lidhur krushqi, sepse nuk jetohet. Në fakt, është e njëjta gjë, jo vetëm aty ku digjen plehrat, por edhe në Fushë-Krujë çdo ditë. Edhe tani që po flasim është shumë e vështirë që të marrësh frymë lirisht, sepse kjo është faktikisht pasaporta evropiane që po i përcakton kryeministri edhe turistëve.

Turistët që vijnë dhe shkojnë në Krujë, qyteti më i vlerësuar dhe më i frekuentuar, pra është me fakte qyteti më i vizituar në Shqipëri, shohin sesi digjen plehrat. Turistët, para se të shkojnë në Krujë, shikojnë se do të kalojnë patjetër te kjo rrugë që unë po ju flas dhe kjo është situata dramatike që ka ndodhur.

Unë nuk e di sesi do të futemi ne në Bashkimin Evropian kështu. Ne nuk jemi të denjë për t’u futur në Bashkimin Afrikan, jo në Bashkimin Evropian. Pra, nuk e di çfarë kapitujsh duhet të përmbushim, a i kemi përmbushur këto punët e mjedisit e të tjera e të tjera, por të digjen plehrat në këtë lloj forme.