'Shteti na ka harruar'/ Banorët e Zvezdës në protestë: Qindra milionë lekë investim, por fshati ende pa ujë

Banorët e fshatit Zvezdë, në Bashkinë Maliq, kanë dalë në protestë për të kundërshtuar mungesën e ujit të pijshëm, një problem që sipas tyre vijon prej dekadash dhe ende nuk ka marrë zgjidhje, pavarësisht investimeve të kryera në rrjetin e ujësjellësit.

Gjatë protestës, banorët deklaruan se investimi për furnizimin me ujë nuk ka sjellë përmirësimin e premtuar, ndërsa akuzuan institucionet përgjegjëse për mungesë kontrolli dhe mbikëqyrjeje gjatë zbatimit të projektit. Sipas tyre, edhe pse janë investuar qindra milionë lekë, fshati vijon të përballet me mungesë të furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm.

Protestuesit thanë se janë të gatshëm të marrin përsipër hapjen e puseve me fondet e tyre, në mënyrë që të sigurojnë ujë për familjet, por kërkojnë të mos paguajnë tarifën e ujësjellësit për një shërbim që, sipas tyre, nuk ofrohet.

Banorët deklaruan se aktualisht furnizohen nga vetëm një çezmë në fshat, ku çdo mëngjes krijohen radhë të gjata dhe situata ka sjellë edhe tensione mes banorëve.

Përveç mungesës së ujit, ata ngritën shqetësime edhe për gjendjen e infrastrukturës, duke përmendur problemet me rrugët, kanalizimet dhe furnizimin me energji elektrike. Sipas tyre, premtimet e bëra ndër vite nga autoritetet vendore nuk janë përmbushur.

Protesta u shoqërua edhe me kritika ndaj drejtuesve të Bashkisë Maliq dhe qeverisë. Disa prej banorëve paralajmëruan se, nëse nuk do të ketë një zgjidhje konkrete, javën e ardhshme do të përshkallëzojnë protestën duke bllokuar akset kryesore rrugore të zonës.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm, duke theksuar se mungesa e furnizimit prek rreth 2 mijë e 200 banorët e fshatit Zvezdë.