Hoxha: SPAK kishte 'dy bashkëpronarë', u përdor për të goditur opozitën dhe sot po tërhiqet përballë qeverisë

I ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", analisti Atan Hoxha u shpreh se Reforma në Drejtësi ka prodhuar një sistem të mbingarkuar dhe të dështuar, ndërsa SPAK-u nuk ka funksionuar si një institucion plotësisht i pavarur, por ka qenë i ndikuar nga raportet mes qeverisë dhe faktorëve ndërkombëtarë.

Hoxha deklaroi se modeli i ndërtuar pas vitit 2016 ka sjellë një kolaps të drejtësisë, me mijëra dosje të pashqyrtuara, vonesa të tejzgjatura dhe rënie të cilësisë së vendimmarrjes, duke theksuar se e vetmja hallkë që e konsideron të konceptuar siç duhet në reformë ishte Byroja Kombëtare e Hetimit.

Analisti u shpreh se, për vite me radhë veprimtaria e SPAK-ut është orientuar nga një marrëdhënie e harmonizuar mes qeverisë dhe ndërkombëtarëve, çka u reflektua në goditjen e opozitës dhe në përdorimin e hetimeve për të forcuar pushtetin e Edi Ramës.

Hoxha tha se ndryshimi i raporteve politike gjatë vitit 2025 ka sjellë edhe ndryshim në sjelljen e Prokurorisë së Posaçme, e cila pas përplasjes me qeverinë në çështjen Balluku, është shfaqur më e tërhequr dhe më e kujdesshme në veprimet e saj.

Pjesë nga deklarata:

Kujtoj se, në atë kohë, synimi i pjesës socialiste, kur ministër ishte Saimir Tahiri, ishte që Byroja Kombëtare e Hetimit të ishte nën varësinë e ministrit të Brendshëm. Dhe kjo gjë nuk u pranua nga pjesa tjetër e klasës politike. U vendos përfundimisht që modeli të ishte një prokurori e posaçme, si vijim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e pajisur tashmë me një forcë policore tërësisht nën varësinë e saj, pra Byroja Kombëtare e Hetimit.

Kjo pjesë e reformës në drejtësi është e vetmja pjesë e saktë e saj. Pjesët e tjera janë një inxhinieri organizative me probleme të thella strukturore, të cilat po na shfaqen edhe sot. Vijuar këtu, pastaj, me mënyrën e zbatimit. Në mënyrën se si u zbatua nga viti 2017 e në vijim, na ka çuar në një gjendje të sistemit të drejtësisë që është katastrofale.

Katastrofale, kur shohim sot që numri i dosjeve në pritje të gjykimit është shumëfishuar dhe koha mesatare e trajtimit të një çështjeje është shumëfishuar gjithashtu, ndërkohë që gjyqtarët dhe prokurorët aktualë kanë punuar në mbingarkesë. Kur punohet në mbingarkesë, nuk mund të ketë cilësi, edhe sikur njerëzit të jenë më të ndershmit apo më të pandershmit. Ç'do të thotë cilësi në rënie në drejtësi? Baras padrejtësi. Ashtu si në shëndetësi cilësia në rënie është baras sëmundje dhe vdekje, në drejtësi rënia e cilësisë është padrejtësi. Shto këtu edhe çmimin e shtuar korruptiv për të fituar të drejtën apo për të fituar kohën e humbur në drejtësi. Pra, situata në drejtësi është katastrofale.

Brenda kësaj situate katastrofale të drejtësisë kemi një segment që është Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilat, të pajisura me fonde shumë më të mëdha sesa Gjykata e Krimeve të Rënda dhe me një forcë policore hetimore në shërbim të plotë të tyre, e jo në varësinë e drejtpërdrejtë të ministrit të Brendshëm, ndryshojnë, në një farë mënyre, si performancë nga pjesa tjetër e drejtësisë.

Por edhe kjo pjesë e drejtësisë, kur u formësua në zbatim e sipër, u formësua si një strukturë me një influencë të fortë të dyfishtë: nga njëra anë nga qeveria dhe nga ana tjetër nga ndërkombëtarët. Performanca e SPAK-ut dhe e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka qenë në varësi të raporteve mes dy, si të thuash, "bashkëpronarëve", pra qeverisë dhe ndërkombëtarëve.

Në kohën kur ndërkombëtarët, veçanërisht politika zyrtare e asaj kohe e Shteteve të Bashkuara, nga viti 2021 e deri në zgjedhjet atje të vitit 2024, nuk linin ditë pa lavdëruar qeverinë Rama dhe kryeministrin Rama, dhe nuk linin ditë pa goditur opozitën, veçanërisht Partinë Demokratike, kishte një marrëdhënie shumë harmonike mes dy "bashkëpronarëve". Orientimi i veprimtarisë së SPAK-ut ishte qartësisht...

Përqindjet nuk di t'i them, janë të konsiderueshme, por ka qenë një marrëdhënie harmonike mes dy "bashkëpronarëve" dhe SPAK-u është përdorur për të goditur fuqishëm opozitën, siç ishte rasti i zotit Berisha, rasti i zotit Meta, rasti i zotit Mediu, dhe jo vetëm kaq.

Kur përdorej si kundërargument se SPAK-u është i pavarur, sepse po godet edhe njerëz nga krahët e qeverisë, unë e kam arsyetuar në këtë mënyrë: duke goditur opozitën, SPAK-u i shërben forcimit të pushtetit të Ramës, si një i zgjedhur nga ndërkombëtarët, për arsye gjeopolitike, për të qeverisur këtë pjesë të vogël të botës.

Nga ana tjetër, një pushtet gjithnjë e më i fuqishëm ka nevojë të lustrohet, të zbukurohet, dhe atëherë SPAK-u është përdorur edhe për të ndëshkuar ose ndonjë që me të vërtetë ka ngrënë ndonjë mollë e dardhë pa dijeninë e kryeministrit, ose ndonjë që e kishte bërë kaq zullum sa nuk mund t'i shpëtonte ndëshkimit, ose dikë që, para kohe, po ngrinte krye me pretendime të rrezikshme apo të parakohshme për pushtet. Pra, këto raste që vijnë nga maxhoranca nuk kanë shërbyer për gjë tjetër, veçse për ta lustruar dhe zbukuruar pushtetin gjithnjë në rritje të Ramës.

Gjërat kanë ndryshuar nga fillimi i vitit 2025 e deri më sot. Raportet mes Ramës dhe ndërkombëtarëve nuk janë ato që kanë qenë, raportet e opozitës me ndërkombëtarët nuk janë ato që kanë qenë, dhe këto reflektohen, në një farë mase, edhe në veprimtarinë e SPAK-ut.

Por, gjithsesi, SPAK-u është në një dilemë. Nga njëra anë pati shenja se e sulmoi regjimin kur u mor me rastin Balluku, dhe nga ana tjetër duket se u tulat nga kundërpërgjigjja që i dha kryeministri, duke mos ia pranuar kërkesën për arrest në Parlament. Tashmë kemi një SPAK, i cili po shfaqet më shumë i ndrojtur dhe i vetëpërmbajtur sesa një SPAK që, në muajt e parë të këtij viti, shfaqi një lloj tendence më ofensive në raport me qeverinë.

Se si do të shkojë SPAK-u nuk e dimë. Nga ana tjetër, ne kemi një protestë e cila e nisi me një pritshmëri të lartë pozitive ndaj SPAK-ut, por po shoh që, dita-ditës, edhe ata po shfaqin shenja zhgënjimi dhe po e shprehin këtë në fjalimet e tyre.