‘Rama është peng i koncesioneve’ / Vasili: Nuk qeveris më, po blen kohë për të shpëtuar veten

I ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", ish-deputeti Petrit Vasili u shpreh se Edi Rama ndodhet në momentin më të vështirë politik dhe se çdo lëvizje e tij ka vetëm një qëllim: të blejë kohë përballë presionit që po i shtohet çdo ditë.

Vasili deklaroi se kryeministri nuk është më në gjendje të marrë vendime të pavarura, pasi është kthyer në "peng" të interesave që kanë përfituar nga koncesionet, tenderët dhe kapja e ekonomisë, duke shtuar se dokumentet dhe nismat që ai nxjerr në publik nuk janë zgjidhje, por përpjekje për të krijuar alibi dhe për të zvarritur situatën.

Gjatë intervistës, Vasili ngriti gjithashtu pikëpyetje të forta mbi bilancin e qeverisjes së Edi Ramës, duke sfiduar kryeministrin të tregojë një reformë, një sektor apo një shërbim të vetëm ku është arritur një transformim real.

Ai u ndal edhe te reforma në drejtësi, të cilën e cilësoi një dështim, ndërsa argumentoi se vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe pakënaqësia e qytetarëve janë prova se modeli i ndërtuar nga qeveria ka dështuar. Sipas Vasilit, e gjithë sjellja e fundit e kryeministrit dëshmon se ai nuk po kërkon zgjidhje, por vetëm kohë.

Pjesë nga deklarata:

Qëllimi i vetëm është të fitojë pak kohë, me çdo çmim, me çdo kusht. Sepse e kupton që armiku, në të vërtetë, ka kohën, pasi presioni është i vazhdueshëm, presioni është nga të gjitha anët, dhe kjo është garancia e fundit politike. E tillë mund të quhet, sepse nuk bëhet fjalë as për teza, nuk bëhet fjalë as për zgjidhje; bëhet fjalë vetëm e vetëm për alibi.

Madje, unë lexova në të gjithë atë që tha se problemi që ai ka është se duan të godasin Trumpin pa më goditur mua. Pra, e gjithë kjo kuptohet shumë, shumë qartë, që këtu kemi të bëjmë me një njeri i cili është peng dhe nuk merr dot asnjë vendim për veten e tij.

Kushdo që mendon se, shiko, Rama është duke menduar, duke studiuar, duke parë... jo, Rama nuk ka asnjë zgjidhje. Rama e ka të qartë. Nuk është ndonjë gjë kaq e vështirë për t'u kuptuar dhe ai e kupton se ka... u bë... ti the 250 kushte. Nuk ka 250; kanë qenë në '98-ën. Tani ka 280 kushte. E kupton mirë se si është kjo situatë, por ai është peng.

Sepse, i dashur zotëri, ne, kur flasim shpesh për ato zgjedhjet e shkatërruara, të rrënuara, për shndërrimin e votës, për paratë e mëdha që hyjnë në zgjedhje... cili është themeli i kësaj gjëje? Kjo nuk është një shpikje që po bëhet për zgjedhjet që vijnë, por është analiza e pengut. Ata që paguajnë milionat, ata që janë inkriminuar, ata që rrëmbejnë koncesionet, ata që kanë ekonominë në dorë, ata që ndërtojnë kullat e të tjera e të tjera, këta kanë pengun e tyre, kanë Edi Ramën.

Dhe ky tani nuk merr dot asnjë vendim për veten e tij dhe përpiqet të blejë kohë. Thotë: po e hedh në publik një gjë që të fitojë një muaj, të fitojë dy javë, të fitojë... sepse ky nuk qeveris. Këtij i kanë thënë: duhet të rrish, të zvarritesh, të rrish atje.

Për sa i takon dokumentit, vetëm pak sekonda, unë do t'u lutesha të gjithëve të mos merren fare, sepse ka një gjë shumë të rëndësishme me të cilën ai është vetërrëzuar. Kështu që ne nuk kemi ndonjë arsye t'i humbasim kohë me të, sepse ju e dëgjuat çfarë tha. Janë fakte përballë, janë shumë fakte, janë shumë të rëndësishme ato që kanë ndodhur dhe pritshmëritë e larta të qytetarëve.

Domethënë, ne kemi bërë shumë gjëra, por qytetarët duan më mirë. Dhe problemi qëndron vetëm në një pikë: cila është gjëja, jo gjërat, gjëja që Edi Rama ka bërë më mirë? Cili është ai sistem? Cili është ai kompleks i madh shërbimesh? Cili është ai transformim në një fushë të caktuar që ka bërë?

Dhe vetë ai e dha përgjigjen, sepse nuk dha asnjë. Nuk pati guxim të... sapo tha... do ta hanin të gjallë, sepse nuk ka asnjë. Nuk ka një shërbim, një tregues, një sektor të vetëm që ai të ketë mundësi ta citojë.

Edhe ajo me të cilën ai mburrej, që e kemi bërë ne, as atë s'e ka bërë ai. Reformën në drejtësi, as atë s'e ka bërë ai. Dihet publikisht. Edhe fati i reformës në drejtësi... sepse kjo reformë në drejtësi kishte reformën që shiste e blinte vota në Kuvend, por u prish skenari, sepse votimi me 140 vota, me iniciativën e Ilir Metës atëherë, e shkatërroi plotësisht të gjithë atë skenar mafioz.

Pra, po marrim edhe atë reformë në drejtësi. E keni parë që dërrmohet përditë në Strasburg, dërrmohet nga qytetarët, nga mijëra qytetarë të cilët nuk marrin drejtësi e të tjera e të tjera.

Pra, do të thotë, ky, që ta mbyll, është një njeri që e ka vetëasgjësuar. Sapo e ka nxjerrë nga goja atë paçavure që ka hedhur në mjedis, e cila nuk meriton t'i harxhohet asnjë sekondë kohë.