Jashtë protestë popullore, brenda Kuvend/ Sot seanca plenare – Ja rendi i ditës

Qytetarët rikthehen sot në protestë përpara Kuvendit, në ditën kur zhvillohet seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar. Një ditë më parë, protestuesit mbyllën tubimin dhe lanë një mesazh simbolik në Bulevard, ku shkruan datën "27 korrik" dhe vizatuan një vezë, duke paralajmëruar protestën e sotme para Parlamentit.

Sipas organizatorëve, në 08:30 protestuesit marshojnë drejt Kuvendit, ku deputetët zhvillojnë seancën e fundit plenare para pushimeve verore. Marshimi shoqërohet me thirrjet "Parlamenti i krimit", "Rama, jep dorëheqjen", "Pa rini nuk ka Shqipëri", "Shqipëria kërkon revolucion" dhe "Ju erdhi fundi".

Organizatorët kanë bërë të qartë se protesta nuk përfundon me mbylljen e sesionit parlamentar. Ata deklarojnë se mobilizimi do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, mes tyre dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike. 

Deputetët do të mblidhen sot në seancë plenare për caktimin e anëtarëve zëvendësues në komisionet parlamentare. Seanca e kaluar u shoqërua me debate të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Përplasjet erdhën pasi kërkesa e PD-së për zgjatjen e afatit të komisionit të posaçëm për 'Territorialen' u rrëzua me votat e socialistëve.

Më pas, deputeti demokrat Luçiano Boçi nuk lejoi bashkëshkryetarin Arbjan Mazniku të prezantonte raportin e PS-së dhe opozita bllokoi foltoren, duke bërë që seanca të ndërpritej disa herë. 

Ndërkohë që brenda do zhvillohet seanca plenare, jashtë do mbahet protesta. Edhe javën e kaluar u mbajt portesta para Parlamentit, ku policia sulmoi ashpër protestusit me ujë dhe gaz lotsjellës duke i dhunuar ata. 

Rendi i ditës:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 27.7.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 23.7.2026.

2. Njoftime.

3. Projektvendimi "Për një ndryshim në vendimin nr. 87/2026, “Рër caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit", i ndryshuar".

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.