'Çdo sulm ndaj Izraelit do marrë një përgjigje shumë të ashpër'/ Netanyahu paralajmëron Iranin

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke deklaruar se çdo sulm ndaj Izraelit, qoftë nga vetë Teherani apo përmes aleatëve të tij rajonalë, do të ishte “një gabim i rëndë” dhe do të përballej me një kundërpërgjigje “shumë të fuqishme”.

Në një intervistë për Fox News, Netanyahu tha se zgjidhja e konfliktit me Iranin, sipas tij, kalon ose përmes ndryshimit të regjimit në Teheran, ose përmes një tërheqjeje të Iranit nga politikat që ai i cilësoi destabilizuese për Lindjen e Mesme. Ai akuzoi regjimin iranian se përbën kërcënim jo vetëm për Izraelin, por edhe për disa vende arabe të Gjirit dhe rajonit, përfshirë Arabinë Saudite, Bahreinin, Katarin, Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordaninë.

Netanyahu u shpreh se mbështet përpjekjet diplomatike të presidentit amerikan Donald Trump, por theksoi se programi bërthamor i Iranit duhet të ndalet “me marrëveshje ose pa marrëveshje”.

Kryeministri izraelit mbështeti gjithashtu planin e Trump për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, duke deklaruar se Riadi mund të zhvillojë vetëm një program bërthamor civil, në kuadër të një marrëveshjeje që do të sillte vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me Izraelin.

Duke folur për Libanin, Netanyahu deklaroi se ushtria izraelite ka larguar forcat e Hezbollahut disa kilometra nga kufiri verior i Izraelit dhe pretendoi se është shkatërruar pjesa më e madhe e arsenalit të tij raketor, i cili sipas tij përbëhej nga rreth 150 mijë raketa dhe predha.