Tadej Pogaçar shkruan historinë e çiklizmit botëror, fiton për herë të pestë Tour de France
Tadej Pogaçar ka hyrë në historinë e çiklizmit botëror, pasi fitoi për herë të pestë Tour de France, duke u renditur mes legjendave më të mëdha të këtij sporti.
Çiklisti slloven triumfoi në edicionin e vitit 2026, duke siguruar fitoren e tretë radhazi në garën më prestigjioze të çiklizmit.
Me këtë sukses, 27-vjeçari barazoi rekordin prej pesë triumfesh të Jacques Anquetil, Eddy Merckx, Bernard Hinault dhe Miguel Indurain.
Arritja e Pogaçarit bëhet edhe më mbresëlënëse për shkak të moshës.
Ai e arriti këtë rekord në vetëm 27 vjeç, më herët se shumica e legjendave të këtij sporti.
Deri tani, ai ka fituar Tour de France në vitet 2020, 2021, 2024, 2025 dhe 2026.
Një nga momentet më emocionuese të këtij edicioni erdhi në etapën drejt Alpe d’Huez, ku Pogaçar vendosi të hiqte dorë nga një fitore tjetër individuale për të ndihmuar shokun e skuadrës, Isaac del Toro, të siguronte vendin e tretë në renditjen e përgjithshme.
Të dy kaluan vijën e finishit krah për krah, në një skenë që u konsiderua simbol i frymës së skuadrës.
“Do ta mbaj mend përgjithmonë këtë moment”, u shpreh kampioni slloven pas përfundimit të etapës.
Pas garës, Pogaçar surprizoi me deklaratën e tij për të ardhmen, duke lënë të kuptohet se nuk synon të garojë edhe për shumë vite.
“Nuk do të garoj edhe për shumë gjatë dhe Isaac ka potencialin dhe talentin për të qenë pasardhësi im”, deklaroi ai.
Gjatë këtij edicioni, Pogaçar dominoi garën nga fillimi deri në fund. Ai fitoi pesë etapa, veshi fanellën e verdhë që në javën e parë dhe nuk lejoi rivalët t’i rrezikonin vendin e parë.
Në podiumin final u rendit përpara Remco Evenepoel, që përfundoi i dyti, ndërsa Isaac del Toro mbylli garën në vendin e tretë.
Me pesë fitore etapash në këtë edicion, Pogaçar e çoi në 26 numrin total të etapave të fituara në Tour de France, ndërsa tashmë synon të bëhet çiklisti i parë në histori që fiton gjashtë herë garën më të famshme të botës.