Manchester City prezanton Elliot Anderson: E doja me çdo kusht këtë transferim

Manchester City ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit Elliot Anderson, i cili ka firmosur një kontratë pesëvjeçare me kampionët e Anglisë, të vlefshme deri në verën e vitit 2031.

23-vjeçari i bashkohet “Citizens” pas përfundimit të angazhimit në Kupën e Botës, ndërsa klubi kishte arritur më herët marrëveshjen me Nottingham Forest.

Sipas raportimeve, transferimi i Anderson i ka kushtuar City-t rreth 135 milionë euro.

Mesfushori anglez konsiderohet një lojtar i profilit “box-to-box”, i njohur për energjinë, agresivitetin në duele dhe aftësinë për të organizuar lojën.

Pas dy sezoneve të suksesshme në Premier League, ai ka siguruar edhe një vend të rregullt në Kombëtaren e Anglisë. Deri tani, Anderson ka zhvilluar 174 ndeshje në futbollin profesionist dhe ka regjistruar shtatë paraqitje me përfaqësuesen angleze.

Pas prezantimit, futbollisti nuk e fshehu entuziazmin për hapin e ri në karrierë.

“Manchester City është një nga klubet më të mëdha në botë dhe ka një skuadër të jashtëzakonshme. Sapo mësova se më donin, isha i vendosur ta realizoja këtë transferim. Çdo futbollist dëshiron të luajë në nivelin më të lartë dhe City ma jep këtë mundësi”, u shpreh Anderson.

Edhe drejtori sportiv i klubit, Hugo Viana, vlerësoi afrimin e mesfushorit anglez.

“Elliot është një nga talentet më të mëdha të mesfushës në futbollin botëror. Ai sjell energji, intensitet, etikë të jashtëzakonshme pune dhe një gamë të gjerë pasimesh. Besojmë se ka potencialin të bëhet një mesfushor i kompletuar dhe Manchester City është vendi ideal për zhvillimin e tij”, deklaroi Viana.