Nesër seanca e fundit, njoftohet protestë para Kuvendit në 08:30, ja ku do të mblidhen protestuesit

Një protestë e re është njoftuar për ditën e nesërme para godinës së Kuvendit të Shqipërisë, gjatë zhvillimit të seancës së fundit parlamentare.

Thirrja për tubim u bë gjatë fjalimeve të mbajtura në protestën e sotme qytetare, ku iu kërkua qytetarëve që të mblidhen në orët e mëngjesit pranë Parlamentit dhe të marshojnë drejt godinës së Kuvendit.

Sipas thirrjes së bërë gjatë protestës, qytetarët pritet të mblidhen në orën 08:00, ndërsa marshimi drejt Kuvendit do të nisë në orën 08:30. Protestuesit kërkojnë vijimin e aksionit qytetar dhe kundërshtojnë vendimet e mazhorancës qeverisëse.

Gjatë fjalimeve në protestën e sotme u komentua edhe dokumenti i kryeministrit Edi Rama i titulluar “Besa”, duke u cilësuar nga protestuesit si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet politike dhe qeverisja.

Çfarë ndodhi në protestën e kaluar para Kuvendit

Protesta e fundit qytetare para Kuvendit të Shqipërisë u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Pavarësisht ndërhyrjeve të efektivëve, qytetarët vijuan qëndrimin e tyre para godinës së Parlamentit.

Gjatë tubimit u raportua përdorimi i ujit me piper dhe gazit lotsjellës nga policia ndaj protestuesve. Nga përplasjet e krijuara në zonë, disa qytetarë mbetën të lënduar, mes tyre edhe një vajzë e cila u pa me dëmtime në fytyrë.

Pamje të publikuara nga SYRI TV treguan qytetarë të prekur nga efektet e gazit lotsjellës, të cilët ndihmoheshin nga protestues të tjerë. Tension pati edhe me një grua të moshuar, e cila sipas pamjeve u tërhoq nga efektivët pasi ishte ulur në asfalt në shenjë mosbindjeje civile.

Ndërkohë, gjatë protestës u raportua edhe pengimi i gazetarit të SYRI TV, Klajdi Bodlli, teksa po kryente detyrën e tij pranë Kuvendit. Ai deklaroi se së bashku me operatorin ishin ndaluar nga efektivë policie dhe nuk ishin lejuar të filmonin në një zonë pas kordonit të sigurisë.

Pavarësisht përplasjeve dhe ndërhyrjeve të policisë, protestuesit vijuan qëndrimin e tyre para Kuvendit, duke deklaruar se do të vazhdojnë protestat deri në realizimin e kërkesave të tyre.