Susaj: Kujtojmë Havzi Nelën, Shqipëria nuk do të mbetet nën këmbët e horrave dhe hajdutëve të kombit
Pedagogu Lush Susaj ka folur në protestën e 57-të qytetare para Kryeministrisë, ku mijëra qytetarë vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Susaj përmendi figurën e poetit dhe martirit të demokracisë, Havzi Nela, duke thënë se sakrificat e shqiptarëve nuk harrohen. Ai u shpreh se pavarësisht vuajtjeve, shqiptarët janë ngritur sërish dhe vijojnë të kërkojnë ndryshim.
“Na vranë, na dogjën, na varfëruan, por prapë jemi këtu”, deklaroi Susaj, duke bërë thirrje që qytetarët të bëhen pjesë e zgjidhjes dhe të angazhohen për të ardhmen e vendit.
Susaj:
Mirënjohje të nderuar bashkëqytetarë dhe bashkëpunëtorë të protestës së bashkimit dhe të shpëtimit të Shqipërisë. Mirënjohje pafundësisht medias që po bën një punë të mrekullueshme. Nuk doja të merrja fjalën sonte, por kur mbaroi himni kombëtar, më telefonuan bashkëqytetarët dhe bashkëpunëtorët e mi nga qyteti i Kukësit e nga Kollovozi, një qendër e njohur nacionaliste, të cilat më kërkuan diçka shumë... që s'më kishte shkuar mendja.
Ata më kërkuan që të përmendim emrin e martirit të demokracisë, poetit dhe mësuesit, e shkrimtarit Havzi Nela. Ata më thanë që... unë në fakt e dija, por sot nuk e kisha marrë me mend... më thanë që vendimi për ekzekutimin e tij është firmosur me 10 gusht 1988. Kolegë, vëllezër, bashkëqytetarë të Kukësit e vëllezër të gjithë Shqipërisë, Havzi Nelën nuk e harron as Kukësi, as Vlora, as Tepelena, as Kolonja. Nuk e harron kurrë Shqipëria, as raca shqiptare.
Sepse na vranë, e prapë u ringjallëm. Sepse na dogjën, e prapë u ngritëm. Sepse na varfëruan, e prapë jemi këtu. Se unë jam këtu, e këtu do jem denbabaden. Gjersa mali të bëhet hi, e hiri mal përsëri. Dhe po e mbyll.
Po e mbyll, dritë i pastë shpirtin e Havzi Nelës, Ali Asllanit, të gjithë poetëve e martirëve të Shqipërisë. Respekt e mirënjohje për familjen Nela, për Kollovozin e për të gjithë nacionalizmin e Kukësit e të gjithë Shqipërisë. Dhe po ju kujtoj tani katër vargje sepse e varën bastardët e komunizmit Havzi Nelën. Poetin e nderuar.
Ai shkruante: "Eni ju o motra, eni ju o gra, Eni ju o vasha, që dini me qa, Eni ju reçjanka, vajtimtare n’za, Eni t’marrim vajin, sot hije na ka, me kujë e vaj ta vajtojmë këtë nënë, që horrat e kombit e kanë shtirë nën këmbë." Nuk ka për të ndenjur asnjë minutë më Shqipëria nën këmbët e horrave dhe hajdutëve të kombit. Këtë gjë mësojeni. Mësojeni sa më parë. Bëhuni pjesë e zgjidhjes e mos e zhysni veten dhe pasardhësit tuaj në krime më të mëdha e në belara më të mëdha. Zoti ju nderoftë, Zoti qoftë me ju e me Shqipërinë! Rroftë BE! Rrofshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës!