Besa e tradhëtuar dhe 'omerta' e pacënuar

Nga Bardh Spahia

​Për shqiptarin, Besa ka qenë historikisht institucioni më i lartë moral. Kontrata e shenjtë që nuk shkruhet në letër, por gdhendet në gjak e në shpirt. Por çfarë i ndodh këtij vendi kur njeriu në krye të qeverisë e kthen Besën në një mjet ordiner mashtrimi?

​Për vite me radhë, në çdo fushatë elektorale, Edi Rama ka shitur të njëjtat andrra n'beze siç thojnë në Shkodër, projekte 3D, premtime të fryra, përralla për një Shqipëri europiane ku gjoja drejtësia triumfon. E ka parë qytetarin në sy dhe i ka dhënë "Besën". Por, sapo kutitë e votimit mbyllen, ajo Besë shkelet, pështyhet dhe hidhet në koshin e plehrave të bërë mullar me gënjeshtra bajate.

​Por, ka një moment kyç për egzistencën e pushtetit të tij kriminal kur Rama e mban fjalën. ​Përballë Besës së bërë leckë me popullin e tij, qëndron i paprekur, i shenjtë dhe i hekurt Kodi i Omerta-së me krimin!

​Përballë qytetarit: Premtime boshe, rritje taksash dhe dhunë e arrogancë të neveritshme sapo mbaron fushata.

​Përballë krimit: Omertà mafioze, heshtje e thellë, bashkëpunim në hije, mbrojtje e ndërsjellë dhe ndarje e pushtetit.

​Ky është ekuacioni i dhimbshëm i Shqipërisë së sotme: Qytetarit i shitet iluzioni për të mbijetuar, kurse botës së errët i jepet Shqipëria me koncesion. Omerta është kthyer në Kushtetutën e vërtetë të vendit, ndërsa "Besa" e dhënë nëpër sheshe, male, apo brigje detesh mbetet thjesht një teatër absurd, bajat dhe shumë i dhimbshëm për shqiptarët e mirë dhe të ndershëm të prerë në besë nga kryeministri i tyre, që i tyre është vetëm për ti shtypur ndërsa i mafies dhe krimit për ti mbrojtur dhe pasuruar.

​Nuk ka poshtërim më të madh për një komb sesa të kthehet në peng të një pakti të errët heshtjeje, ndërkohë që dinjiteti dhe shpresa vidhen ditë pas dite. Nuk mund të shkelësh me këmbë qytetarin dhe t'i lëpish këpucët krimit!

​Besa e tradhtuar nuk harrohet! E vërteta kërkon zë dhe koha e heshtjes ka mbaruar! 

Edi Rama ke qënë, je dhe do mbetesh përherë i pabesë me të mirët dhe shërbëtor i neveritshëm i të ligëve.