‘Frika dhe indiferenca…’/ Shanaj: Heshtja e artistëve për protestën po bëhet bashkëfajtore

Regjisori i njohur Mevlan Shanaj ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku shpreh shqetësimin për mungesën e reagimit të artistëve dhe intelektualëve ndaj zhvillimeve në vend, veçanërisht protestës që ka hyrë në ditën e 57-të.

Shanaj thekson se heshtja nuk është gjithmonë shenjë urtësie, por shpesh kthehet në bashkëfajësi përballë asaj që nuk guxojmë ta kundërshtojmë.

Ai ngre pyetjen pse artistët dhe intelektualët zgjedhin të mos shprehen publikisht, edhe kur e kuptojnë se indiferenca nuk i shërben një shoqërie më të lirë dhe më demokratike.

Postimi i plotë:

Të shprehurit

Vazhdoj të mbetem i befasuar nga heshtja pothuajse e plotë e artistëve për t’u shprehur mbi realizimet e kolegëve të tyre. Nuk po flas për analiza të gjata e studime kritike. Edhe një opinion i shkurtër, një përgëzim, një urim për sukses apo për shëndet, rrallëherë ndodh të dëgjohet.

Ndërkohë, kur prekën tema tabu ose çështje që lidhen me administratën shtetërore, zëri i intelektualit, në përgjithësi, mbetet i heshtur. E, nëse dëgjohet, shpesh del me pikatore, i ngarkuar më shumë me mllefe militantizmi sesa me gjykime të pavarura e serioze.

Edhe më shqetësuese është mungesa e debatit profesional për atë që po ndodh me artin dhe kulturën. Publiku, në çdo kohë, ka qenë më i avancuar në kërkesat e tij shpirtërore sesa qëndrimet zyrtare. Megjithatë, kritika profesionale ka munguar ose ka zgjedhur të ecë në harmoni me mendimin zyrtar.

Kjo nuk është një dukuri e re. Për fat të keq, në Shqipëri kritika ka rendur shpesh pas pushtetit, në vend që të ecë përpara tij. Pikërisht ky konformizëm na ka sjellë në këtë gjendje plogështie, ku synimi kryesor duket të jetë të mos prishet qetësia e administratës, edhe kur veprimet e saj janë larg frymës bashkëkohore dhe interesit të qytetarit.

Pyetja ime është e thjeshtë: pse ndodh kjo edhe me ata që e kuptojnë se kjo mënyrë jetese nuk na mbron dhe nuk na çon drejt një shoqërie më të qytetëruar? Pse heshtin?

A nuk do të ndiheshin më të lirë, më të çliruar shpirtërisht, artistët dhe intelektualët, po të flaknin indiferencën – për të mos thënë frikën – dhe të shprehnin hapur mendimin e tyre?

Sepse heshtja nuk është gjithmonë shenjë urtësie. Shpesh ajo bëhet bashkëfajtore me atë që nuk guxojmë ta kundërshtojmë.( Nga libri në proçes ” Nuk është vonë të tregosh”)