‘Shqiptarët në mbarë botën janë bashkuar’/ Çela: Rama kërkon ‘besën’ nga frika e llogaridhënies pas pushtetit

Ish-drejtuesi i PD-së në Pogradec, Gent Çela, i ftuar në Syri TV në një intervistë me Edvin Parrucën, deklaroi se protesta qytetare e ka tejkaluar prej kohësh çështjen e Zvërnecit dhe tashmë ka në qendër kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Sipas Çelës, mobilizimi i shqiptarëve në diasporë është i paprecedentë dhe dëshmon se pakënaqësia ndaj qeverisë është shtrirë përtej kufijve të Shqipërisë. Ai argumentoi se thirrja e përbashkët e protestuesve, si në Tiranë ashtu edhe në qytete të ndryshme të botës, mbetet largimi i Ramës nga pushteti dhe vendosja e një raporti të ri mes qytetarëve dhe qeverisjes.

Intervista:

Parruca: Kërkesa nga Evropa për të ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura. Nga ana tjetër, protesta ka kërkesa shumë përtej asaj që është ligji për zonat e mbrojtura, që shkon në ndryshim kushtetute, ndryshim i kodit zgjedhor, një kontratë e re mes atyre që japin pushtet dhe atyre që mbajnë pushtet e të tjera. Po, fjala për ju tani.

Çela: Atëherë, sigurisht që duket qartë një tentativë për të rikthyer qendrën e debatit publik, qendrën e opinionit publik te ajo çka ka prodhuar protesta, tek elementi fillestar i protestës që ishte çështja e Zvërnecit. Por në ditët e para të protestës, kjo çështje është tejkaluar dhe protestuesit kanë kërkuar shumë herë më shumë se sa vetëm kaq. Dhe patjetër që Zvërneci ishte pika A e nisjes dhe gjenezës të protestës, ku shpërtheu reagimi qytetar dhe një lajm shumë i mirë i demokracisë në Shqipëri e gjitha kjo situatë dhe gjithë kjo protestë e përditshme. Por e vërteta është që protestuesit kanë kërkesa të qarta përtej çështjes së Zvërnecit dhe fillon dhe përfundon e gjitha me dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Rama. Dhe sigurisht që kjo është kërkesa thelbësore e qindra mijëra protestuesve në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' para kryeministrisë, por më duhet të theksoj që momentalisht ndodhem në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe javë pas jave kam qenë prezent në protesta të organizuara në shtetin ku ndodhem, por që janë organizuar protesta në çdo shtet ku ndodhen shqiptarë, njëra prej të cilave ishte javën e kaluar përpara selisë të OKB-së në Nju Jork.

Parruca: Po të ndalemi pak këtu meqë e nxore në pah. Si ka mundësi, sepse pati një aktivizim të paprecedent të shqiptarëve të diasporës në lidhje me këto protesta. Nuk ka pasur asnjëherë një mobilizim të tillë politik të shqiptarëve, duke pasur parasysh edhe se nuk ishte as kohë zgjedhore, as ndonjë parti që po i mblidhte siç ndodh zakonisht. Një dalje spontane e më shumë njerëzve seç kishim parë ndonjëherë në diasporë.

Çela: Po në fakt është një spontanitet fantastik, është një ngjarje shpresëplotë ku shqiptarët janë bashkuar në të katër anët e botës rreth protestës e cila zhvillohet ditë pas dite në Tiranë. Unë kam parë protesta në çdo qytet evropian ku ka shqiptarë, kam parë protesta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku në disa raste kam qenë prezent, kam parë protesta në Melburn të Australisë së largët ku shqiptarët kanë gjetur rastin të bashkohen me thirrjen e vetme: Rama jep dorëheqjen. Dhe sigurisht që për këtë, në thonjëza, duhet t'i jemi mirënjohës kryeministrit që ka bashkuar më në fund shqiptarët, por i ka bashkuar rreth kundërshtisë të vet, rreth faktit që shqiptarët duan të gjithë, përtej çdo bindjeje politike, largimin e kryeministrit, i cili së fundmi kërkon besën e tyre për të ardhur tek aktualiteti i para dy ditëve ku zoti Rama mblodhi grupin parlamentar dhe ministrat e qeverisë së vet, duke iu kërkuar shqiptarëve besën e tyre. Tani, si fillim 'besa' është një term moral, i virtytshëm i kombit tonë, por duhet theksuar që është një term apolitik. Dhe nuk mund të kërkojmë apolitik, jo juridik, jo shtetëror. Pra, një kryeministër nuk mund të flasë me terma moralë, besnikërie.

Parruca: Me terma parashtetërorë.

Çela: Për më tepër duke shtuar faktin që shqiptarët ia kanë dhënë besën duke lënë mënjanë blerjen, kërcënimet, presionet, krimin e organizuar në fushatën elektorale të Partisë Socialiste, por i lëmë për një moment të gjitha këto mënjanë dhe marrim faktin që shqiptarët e kanë zgjedhur katër herë. Tani zotëria kërkon besën e tyre për herën e pestë me siguri, jo sepse ka krijuar ndonjë reflektim, por dukshëm është i trembur, është i frikësuar sepse ai e di më mirë se kushdo se me daljen e vet nga zyra e kryeministrit, sigurisht që nuk do të shkojë në ndonjë atelie pikture, por do të shkojë do t'i bashkëngjitet ish-ministrave të vet të arrestuar, kryetarit të Bashkisë së Tiranës të arrestuar. Dhe jam i bindur që fabula se të gjithë i kanë ngrënë kumbullat dhe dardhat pas kurrizit të vet nuk do t'i shërbejë më para opinionit publik dhe para strukturave të drejtësisë. Dhe sigurisht që kjo është çështja, kjo është teza, kjo është frika e tij e madhe. Dhe në fakt ka të drejtë, sepse të gjithë e dinë që abuzime të tilla në 14 vite nuk i kanë ndodhur kurrë atij vendi, nuk i kanë ndodhur kurrë një vendi i cili ka ambicien e vet natyrore për t'u bashkuar Bashkimit Evropian. Dhe sigurisht që korrupsioni galopant që ka ndodhur në Shqipëri është i paprecedent, është i paimagjinueshëm dhe në fakt as fytyrat e vrëngjura të deputetëve dhe ministrave në mbledhjen e para dy ditëve ku zoti Rama kërkonte besën e shqiptarëve, ishin një tregues i qartë që ata ndodhen në një situatë të sikletshme nga ku nuk kanë më besim tek drejtuesi i tyre, kërkojnë vetëm shpëtim për të dalë nga kjo situatë dhe në fakt nuk mund t'i kërkojmë besën shqiptarëve, protestuesve pas kaq ditësh protestë, gati dy muaj...