Kërkojnë dorëheqjen e Ramës/ Revolta kundër kryeministrit në ditën e 57-të, qytetarët sërish në tubim
Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e saj të 57-të, ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish në mbrëmje para godinës së Kryeministrisë për të vijuar tubimet e përditshme.
Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama.
Gjatë fjalimeve një ditë më parë aktivistët akuzuan kryeministrin se po përpiqet të zbusë reagimin qytetar përmes iniciativave të reja, ndërsa theksuan se protesta nuk ka ndryshuar qëllimin e saj.
Sipas tyre, kërkesa mbetet e pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit deklaruan gjithashtu se Rama duhet të ketë përballje me drejtësinë, ndërsa kërkojnë ngritjen e një qeverie tranzitore, e cila, sipas tyre, do të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në përfundim të tubimit, qytetarët zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës, duke brohoritur slogane si “Rama ik”, “Dorëheqje” dhe “Shqipëria nuk dorëzohet”.
Edhe mbrëmjen e sotme, protestuesit pritet të rikthehen para Kryeministrisë, duke deklaruar se do të vijojnë tubimet deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore për largimin e kryeministrit nga detyra.