Rita Ora: Jam krenare për rrënjët e mia, këngëtarja flet për emigrimin, familjen dhe planet për të ardhmen

Rita Ora ka folur hapur për historinë e familjes së saj dhe ndikimin që emigrimi ka pasur në jetën dhe karrierën e saj. Artistja me origjinë shqiptare tha se rrugëtimi i prindërve të saj drejt Mbretërisë së Bashkuar është një nga arsyet pse ajo ndihet sot krenare për identitetin e saj.

E lindur në Prishtinë, Rita u shpërngul me familjen në Londër kur ishte ende fëmijë. Në një intervistë për The Times, ajo kujtoi se prindërit e saj u detyruan të rindërtonin jetën nga e para pasi mbërritën në Britani, duke u përballur me sfida të shumta për t’u integruar dhe për të vazhduar profesionet e tyre.

Nëna e saj, Vera, e cila ishte mjeke, u rikualifikua për të ushtruar profesionin si psikiatre, ndërsa babai, Besniku, ekonomist me profesion, punoi fillimisht në menaxhimin e një lokali në Londër. Sipas këngëtares, përkushtimi dhe sakrificat e tyre kanë qenë frymëzim për të gjatë gjithë jetës.

Rita u shpreh se nuk e ka parë kurrë statusin e emigrantes si diçka negative, pavarësisht debatit të vazhdueshëm mbi emigracionin në Britaninë e Madhe.

“Do të jem gjithmonë mirënjohëse për mundësitë që kam pasur dhe krenare që jam emigrante,” tha ajo, duke shtuar se shumë njerëz që largohen nga vendlindja ndajnë të njëjtën dëshirë për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe për të dëshmuar aftësitë e tyre.

Artistja foli edhe për projektet profesionale, duke treguar se aktualisht është duke punuar për albumin e saj të katërt, ndërsa rikthehet edhe në rolin e Mbretëreshës së Zemrave në filmin “Descendants”.

Në intervistë, Rita ndau edhe një dëshirë që ende nuk është bërë realitet: një bashkëpunim artistik me bashkëshortin e saj, regjisorin Taika Waititi. Ajo tha se të dy do të donin të punonin së bashku nëse do të gjenin projektin dhe historinë e duhur.

Çifti, që do të festojë katër vjet martesë këtë verë, sipas këngëtares nuk është shumë i dhënë pas planifikimeve. Me humor, ajo tha se zakonisht i lënë gjërat për momentin e fundit.

Rita preku edhe temën e shëndetit, duke zbuluar se ka zgjedhur të ngrijë vezët në moshë të re, pas rekomandimit të mjekëve. Ajo e cilësoi këtë si një nga vendimet më të rëndësishme që ka marrë për të ardhmen e saj.

Këngëtarja shtoi se përvoja e nënës së saj me kancerin e gjirit dhe menopauzën e hershme e ka bërë më të ndërgjegjshme për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit, duke e shtyrë të marrë vendime afatgjata për mirëqenien e saj.