SYRI TV/ Rama përpiqet të shuajë revoltën me propagandë, dokumenti 'Besa', asnjë zgjidhje konkrete

Ndërsa prej gati dy muajsh qytetarët kërkojnë dorëheqjen e tij, kryeministri Edi Rama po mundohet të shuajë revoltën e protestuesve përmes propagandës, pa ndërmarrë asnjë angazhim konkret. Zbardhja e dokumentit “Besa” tregon edhe njëherë se Rama nuk ofron asnjë zgjidhje për kërkesat e qytetarëve, por parashikon konsultime publike fiktive dhe sondazhe matëse në funksion të propagandës së tij.

Kryeministri Edi Rama premtoi reflektim pas protestave masive qytetare dhe revoltës ndaj qeverisë së tij, por, si çdo herë, nuk arriti të ndërmarrë hapa konkretë ndaj kërkesave të tyre. Ai u përpoq të shuajë pakënaqësinë përmes propagandës dhe deklaratave që kundërshtohen nga faktet.

Një rast që tregon, sipas kritikëve, këtë qasje të kryeministrit është shpallja e lumit Vjosa si park kombëtar. Në dokumentarin e realizuar në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar, Rama u përpoq ta paraqiste këtë vendim si një zgjedhje të tij, ndërkohë që kundërshtarët e tij argumentojnë se ishin protestat e aktivistëve, vendimet e gjykatave dhe presioni ndërkombëtar që detyruan qeverinë të tërhiqej nga ndërtimi i hidrocentraleve në lumin Vjosa.

Madje, në kohën kur Parlamenti Europian i bënte thirrje qeverisë shqiptare të tërhiqej nga ndërtimi i hidrocentraleve në lumin e fundit të egër në Evropë, qeveria vijonte t’u bënte thirrje investitorëve për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë.

Nga ana tjetër, Rama u shtriu dorën protestuesve për të lidhur “besën” me ta, por dokumenti i paraqitur nga kryeministri, sipas opozitës, nuk është gjë tjetër veçse propagandë dhe teori, pa dhënë asnjë zgjidhje konkrete për shqetësimet e qytetarëve.

Rama pretendon se projekti i shumëdebatuar në zonën e mbrojtur në Zvërnec do të konsultohet publikisht brenda një periudhe tre mujore, ku parashikohen dëgjesa në terren me banorë, studiues, shkencëtarë, por edhe me grupet që kanë protestuar, për të marrë më pas një vendim për të ardhmen e projektit.

Paradoksi i kryeministrit, sipas kritikëve, qëndron pikërisht në këtë pikë, pasi më herët ai ka deklaruar se projekti do të realizohet me çdo kusht, ndërsa tani shprehet se do të konsultohet me ekspertë dhe publikun. Ndërkohë, prej muajsh ka deklaruar se një grup ekspertësh të mjedisit dhe arkitektësh po studiojnë impaktin në mjedis.

Megjithëse protestuesit kërkojnë anulimin e projektit, kryeministri, sipas tyre, po përpiqet të fitojë edhe tre muaj kohë përmes proceseve të konsultimit.

Në dokumentin “Besa” parashikohet edhe krijimi i një “Barometri Kombëtar të Besimit”. Ky instrument synon të masë nivelin e besimit të qytetarëve te institucionet, ndërsa opozita pretendon se në vend që të punohet për forcimin e institucioneve, qeveria po angazhohet në sondazhe që i shërbejnë vetëm propagandës.

Një tjetër pikë është krijimi i një ndërfaqeje dixhitale, e quajtur “Pasqyra e Flamingove”, ku do të publikohen dokumente, konsultime, afate, zotime dhe rezultatet e vendimeve me interes të lartë publik.

Zbardhja e dokumentit, sipas kritikëve të qeverisë, tregon edhe njëherë se kryeministri nuk ka marrë përgjegjësi publike për keqqeverisjen ndaj së cilës qytetarët po protestojnë duke kërkuar dorëheqjen e tij. Sipas tyre, Rama është përpjekur të shmanget përmes nismave që nuk adresojnë problematikat reale, njësoj siç, sipas tyre, ndodhi disa vite më parë me Këshillin Kombëtar, ku qytetarët u pyetën për çështje me interes publik, ndërsa vendimmarrjet vijuan të merreshin nga qeveria.

Pavarësisht përpjekjeve të Edi Ramës, një ditë më parë protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e tij, duke grisur dokumentin e propozuar nga kryeministri dhe duke e cilësuar atë si një njeri të pabesë.