SYRI TV/ Fluks i lartë hyrjesh te pika kufitare Morinë, e njëjta situatë pritet edhe gjatë javëve në vijim

Në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, fundjava e fundit e muajit korrik ka shënuar fluksin më të lartë të hyrjeve të qytetarëve të Kosovës. Autoritetet kufitare e lidhin këtë rritje të ndjeshme të lëvizjeve me afrimin e muajit gusht, periudhë kur nis pjesa më e madhe e pushimeve vjetore.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Emigracionin, në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë, për periudhën nga data 25 korrik 2026, ora 05:00, deri më 26 korrik 2026, ora 08:30, janë regjistruar 45,518 shtetas të Kosovës që kanë hyrë në territorin shqiptar me 12,790 automjete.

Autoritetet kufitare e lidhin këtë rritje të ndjeshme të lëvizjeve me afrimin e muajit gusht, periudhë kur nis pjesa më e madhe e pushimeve vjetore. Një ndikim të rëndësishëm ka edhe ardhja e diasporës kosovare në vendlindje, e cila tradicionalisht zgjedh të kalojë një pjesë të pushimeve verore në bregdetin shqiptar, por edhe në destinacionet turistike malore të vendit.

Fluksi i lartë në Morinë pritet të vijojë edhe gjatë javëve në vazhdim, ndërsa strukturat e Policisë Kufitare në Morinë mbeten të angazhuara për të përballuar rritjen e lëvizjes së udhëtarëve dhe automjeteve gjatë sezonit turistik.

Për menaxhimin e fluksit, do të vijojë funksionimi me të gjitha sportelet, ndërsa do të zbatohet marrëveshja për kalim pa kontrolle për mjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa për automjetet me targa të huaja do të ndiqen procedura të përshpejtuara.