‘E dënoj atë që ka bërë’/ Nga miq në Milano te përplasja për 'çështjen ruse', çfarë ndodhi mes Pirlos dhe Shevchenkos
Rruga e Andrea Pirlos drejt pankinës së Kombëtares italiane është kthyer nga një çështje sportive në një debat që prek edhe aspektin etik dhe politik.
Ish-mesfushori italian, i cili shihet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e “Azzurrëve”, ndodhet në qendër të kritikave për shkak të marrëveshjes së tij si ambasador ndërkombëtar i Fonbet, një kompani ruse bastesh.
Kjo situatë ka prekur edhe marrëdhënien e tij me ish-shokun e skuadrës te Milani, Andriy Shevchenko. Miqësia e krijuar në vitet e sukseseve kuqezi dhe e forcuar me trofe e momente të shumta, sipas raportimeve, është ftohur ndjeshëm pas kësaj zgjedhjeje të Pirlos.
Shevchenko, aktualisht president i Federatës së Futbollit të Ukrainës, ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij për Pirlon dhe figura të tjera të futbollit italian që kanë marrë pjesë në aktivitete promocionale në Rusi.
“Kam folur drejtpërdrejt me shumë prej tyre dhe kam shprehur qartë kundërshtimin tim dhe qëndrimin e Ukrainës. I dënoj ato që kanë bërë. Ata e kuptojnë, por gjithsesi kanë marrë vendimin e tyre. Duhet të jetojnë me këtë zgjedhje”, është shprehur Shevchenko.
Ish-fituesi i “Topit të Artë” ka shtuar se situata ka ndikuar edhe në marrëdhënien personale me Pirlon: “Për momentin gjithçka është në pauzë. Më ka lënduar”.
Polemika ka marrë përmasa më të mëdha pasi Pirlo nuk është thjesht një ish-futbollist, por kandidati kryesor për të drejtuar Kombëtaren italiane. Për Federatën Italiane të Futbollit, çështja nuk lidhet vetëm me aspektin teknik, por edhe me imazhin që do të kishte një trajner i kombëtares me një partneritet të tillë.
Ndryshe nga rastet e Francesco Tottit dhe Marco Materazzit, të cilët kanë qenë pjesë e aktiviteteve promocionale në Rusi, situata e Pirlos shihet më delikate për shkak të rolit të mundshëm në një institucion simbol të futbollit italian.
Tashmë, përpara se të marrë drejtimin e Italisë, Pirlo duhet të përballet me një sfidë jashtë fushës: të menaxhojë polemikat publike, marrëdhënien e dëmtuar me një mik të vjetër si Shevchenko dhe shqetësimet për imazhin e Federatës.