'Mos të bëjmë sikur i zgjidhim problemet’, Dervishi pas tragjedisë në Vidhisht: Duhet reformë rrënjësore

I ftuar në studion e lajmeve, Zyhdi Dervishi, sociolog, foli mbi ngjarjen e rëndë kriminale në Vidhisht, ku ish dhëndri mori peng ish të fejuarën dhe vrau prindërit e saj e më pas veten. Ai u shpreh se kjo tragjedi është një tjetër kambanë alarmi për gjendjen e shoqërisë shqiptare dhe për nevojën e një reagimi më të thellë institucional.

Dervishi theksoi se shteti nuk duhet të fokusohet vetëm te masat pas ngjarjeve kriminale, por te parandalimi i tyre përmes një investimi serioz në arsim, edukim dhe forcimin e institucioneve që formojnë të rinjtë. Sipas tij, problemet e shoqërisë nuk zgjidhen me masa të pjesshme apo me shtim të policisë e burgjeve, por me politika afatgjata të bazuara në studime dhe me një sistem arsimor më të fortë.

Sociologu u shpreh se trauma që përjetojnë viktimat e ngjarjeve të tilla është e rëndë dhe se ndërhyrjet pas tragjedive kanë kufizime të mëdha. Ai kritikoi mungesën e një qasjeje parandaluese, duke kërkuar më shumë vëmendje ndaj shkollave, mësuesve dhe rolit të tyre në evidentimin e hershëm të problemeve tek të rinjtë.

Sipas Dervishit, shoqëria shqiptare ka një potencial të madh njerëzor, veçanërisht te të rinjtë, por ky potencial kërkon menaxhim më të mirë dhe një angazhim të përbashkët institucional për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të rënda.

Fjala e tij:

Me keqardhje them që shoqëria shqiptare përjeton një krizë të rëndë, të shumëfishtë. Dhe zgjidhja e problemeve nuk bëhet me metoda të thjeshta, me amatorizma. Shoqëria shqiptare është në një krizë totale.

Ne u ofrojmë nxënësve një model që i edukon ata si njerëz fisnikë, si njerëz që anojnë nga e mira. Unë po kthehem te fakti që kemi shumë, shumë pak. Për mua, si sistem, më mirë të investojmë shumë në sistemin arsimor sesa në polici dhe në burgje. Jo se jam kundër tyre. Por sa më shumë të ulim numrin e të burgosurve, mundësisht të mos kemi asnjë të burgosur, aq më mirë do të jetë situata shqiptare, shoqëria shqiptare do të jetë më e mirë, më e harmonizuar.

Pra, duhen zgjidhje radikale, zgjidhje rrënjësore që bazohen në studime dhe në një sistem masash energjik, gjithëpërfshirës, i cili bazohet në kërkime të mirëfillta. Kur flitet për studime në Shqipëri ka një farë nënqeshjeje, një farë buzëqeshjeje. Unë nuk e di se cilat ligje në Parlament paraprihen nga studime të realizuara me profesionalizëm nga struktura shkencore të mirëkualifikuara.

Në bashkitë e vendeve perëndimore, si për shembull në Amerikë, asnjë vendimmarrje nuk realizohet pa u paraprirë nga studime të realizuara nga profesionistët. Përvoja gjermane këtë gjë ta tregon. Gjermania doli vendi më i shkatërruar nga lufta dhe u ngrit më shpejt se të gjithë. Pse? Sepse u bazua mbi studime dhe mbi një disiplinë të hekurt për zgjidhjen e problemeve.

Mos të bëjmë sikur. Mos të ndihemi të qetë kur punët nuk na ecin dhe të bëjmë sikur i kemi zgjidhur problemet. Shoqëria shqiptare është një shoqëri shumë vitale. Ne kemi një rini të mrekullueshme, shumë energjike, shumë inteligjente, shumë të zgjuar. Fakti që marrin çmime në konkurset ndërkombëtare të matematikës do të thotë që kemi një mineral njerëzor brilant, të mrekullueshëm. Ky duhet mirëmenaxhuar.

Dhe unë mendoj se, pa investuar te shkolla, pa investuar te mësuesit, pa investuar te trupa pedagogjike në të gjitha nivelet, ne nuk mund t'i zgjidhim problemet e shoqërisë shqiptare. Ne thjesht do të bëjmë sikur. Dhe, të them të drejtën, mua më lodh kjo gjë: të bëjmë sikur po i zgjidhim problemet. Jo, duhet t'i zgjidhim problemet, sepse jemi ndër popujt më fisnikë, me më shumë kontribute në Evropë. Kemi dhënë shumë Evropës dhe botës, dhe kemi marrë shumë pak prej tyre.

Kështu që unë nuk i shoh problemet si të pazgjidhshme. Një popull kaq vital si populli shqiptar mund të zgjidhë çdo problem. Mjafton të mirëorganizohet. Dhe në zgjidhjen e këtyre problemeve të mos ketë frymë partiake. Të ketë bashkëpunim.

Shqipëria është e vogël, populli shqiptar është popull i vogël. Ne nuk kemi luksin të ndahemi në shumë parti dhe partiza. Për çështje të mëdha të kombit, të përparimit të Shqipërisë, duhet të jemi unikë, krejtësisht unikë. Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin, pa luftuar për flamujt partiakë, pa u përpjekur për t'u dhënë dekorata flamujve partiakë, por për të zgjidhur problemet e kombit shqiptar.

Mendoj se ne nuk mund t'i zgjidhim problemet dhe nesër, pasnesër, të ndodhin përsëri situata të tilla, nëse nuk e fillojmë zgjidhjen e problemeve nga rrënjët.

Unë, me shumë dhimbje, e them që plagët shpirtërore që ka marrë ajo vajzë do ta shoqërojnë pothuajse gjithë jetën.

E them me shumë, shumë, shumë dhimbje. Problemi është se një shoqëri me njerëz të ditur, një shoqëri që kërkon të zgjidhë problemet, nuk duhet të ketë mes vetes njerëz të traumatizuar. Duhet të marrë masa për t'i kapur çështjet në rrënjë.

Kur situata arrin në këtë pikë, trauma është pothuajse e pashërueshme. Mund të lehtësohet disi me kalimin e kohës, por është pothuajse e pashërueshme. Asaj i janë vrarë dy prindërit. Si do ta kapërcejë këtë dramë? Pse janë vrarë dy prindërit? Sepse ka shërbyer kjo lidhje.

Është e vështirë për ne tani të diskutojmë dhe nuk ka rëndësi ta diskutojmë se cili kishte më shumë gabim dhe cili më pak. Ndodhi, në fakt, një situatë që çoi përpara një tragjedie të rëndë. E gjithë kjo tragjedi, sido që ta analizosh, sido që ta vlerësosh, përsëri mbetet një tragjedi e rëndë.

Problemi është që ne duhet të marrim masa energjike që këto gjëra të mos ndodhin. Por kur arrin puna te shkrepja e armës, te vrasja e njeriut, atëherë çdo analizë më shumë vlen për të tjerët, jo për rastin konkret. Rasti konkret është mbyllur.

Kështu që unë, me shumë dhimbje, them se kjo vajzë, hija e kësaj ngjarjeje që ka ndodhur, do ta ndjekë gjatë gjithë jetës. Dhe sado të përpiqet shoqëria, të afërmit, psikologët dhe sociologët për t'ia lehtësuar situatën, puna e tyre pas tragjedisë është shumë e vogël.

Puna e tyre do të ishte shumë më e frytshme nëse do ta menaxhonin situatën në atë mënyrë që tragjedia të mos ndodhte.

Unë mendoj se sistemi i masave që mban shoqëria shqiptare është një sistem joefikas. Fakti që një djalë apo një vajzë, kryesisht djem, shkojnë në shkollë me idenë për të konfliktuar, marrin armë zjarri ose armë të ftohta me vete për t'u përplasur me shokët e klasës apo të shkollës, për mua është tragjike.

Ne kemi ardhur nga shkolla, djem jemi edhe ne. Nuk kemi menduar kurrë, kur ishim 18-vjeçarë në gjimnaz, të merrnim armë me vete për të konfliktuar me njëri-tjetrin.

Pra, ka ndodhur diçka e rëndë. Ka ndodhur diçka shumë e rëndë. Në këtë pikë, ne jemi shumë më prapa nga ç'kemi qenë.

Një sistem zgjidhjesh problemesh nuk mund t'i ketë të gjitha gjërat negative. Shkolla shqiptare ka tradita të mrekullueshme, të cilat duhen riaktivizuar. Shkolla shqiptare ka pasur mësues të mrekullueshëm, edukatorë të klasit të parë, modele për shumëçka, të cilët duhen kthyer përsëri, të përshtatur me parametrat dhe kushtet e reja.

Unë kam bindjen se, nëse ne marrim masa energjike në sistemin shkollor, situata në Shqipëri ndryshon brenda një periudhe kohore jo shumë të gjatë. Besoj se brenda 20 vitesh shoqëria shqiptare arrin në parametra shumë interesantë, ku humanizimi dhe largimi nga shumë krime të shëmtuara e të rënda, të cilat e traumatizojnë shoqërinë shqiptare, bëhen realitet.

Nuk është vetëm familja që traumatizohet, janë edhe fiset, komunitetet. Ngjarje kaq të rënda si kjo dhe shumë të tjera lënë pasoja të mëdha. Uroj të mos ndodhin më ngjarje të tilla, por kam pak besim, shumë pak besim, sepse masat që ne marrim janë masa joefikase.

Një psikolog në shkollë, qoftë edhe shkencëtari më i shquar i psikologjisë në botë, nëse nuk i sheh nxënësit sy më sy çdo ditë, siç bëjnë mësuesit, nuk mund t'i testojë shqetësimet e tyre.

Unë jam që shkollës t'i shtohen psikologët, jo të hiqen. Por puna më e madhe e psikologëve duhet të jetë si konsulentë për mësuesit, për t'i kualifikuar ata, sepse janë mësuesit ata që i lexojnë nxënësit në sy çdo ditë, çdo orë. Ata mund t'i zbulojnë shqetësimet e tyre dhe të jenë ndihmësit më të mirë.

Edhe nga anketimet e bëra kohët e fundit rezulton se, për konfliktet që kanë, nxënësit më shpesh janë të prirur të konsultohen me mësuesit, ndërsa vajzat me mësueset.