Kishte një muaj që mburrej se po përgatiste një sulm, kush është 21-vjeçari që mori para turmën në Paradën e Krenarisë në Berlin

Policia e Berlinit beson se ka identifikuar të paktën një person të dyshuar si autor të sulmit të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Paradën e Krenarisë (Pride), ku një furgon u përplas me turmën, duke vrarë një grua dhe duke plagosur 16 persona. Bëhet fjalë për Abdul B., një 21-vjeçar me shtetësi gjermane dhe origjinë libaneze. Ai ishte liruar në muajin maj nga një qendër rehabilitimi për të mitur dhe, sipas autoriteteve, njihej për lidhje me "rrethe islamiste".

21-vjeçari, i lindur në Berlin, ka precedentë penalë për agresion dhe shantazh. Sipas përshkrimit të policisë, ai është rreth 1.90 metra i gjatë, trup i dobët, flokë të zinj dhe në momentin e sulmit kishte veshur një bluzë të zezë me kapuç dhe pantallona të bardha.

I kishte rrëfyer një fqinji se po përgatiste sulmin

Pak pas orës 01:00 të natës, policia bastisi një apartament në lagjen Schöneberg, jo shumë larg vendit ku po zhvillohej Pride. Sipas hetimeve, Abdul B. jetonte aty me nënën dhe vëllezërit e motrat e tij.

Një fqinj deklaroi për gazetën Die Welt se 21-vjeçari kishte muaj që mburrej se po përgatiste një sulm terrorist dhe shprehte vazhdimisht pakënaqësi për jetën e tij në Gjermani. Megjithatë, kur forcat e policisë mbërritën në apartament, ai rezultoi i boshatisur.

Dyshime për motive fetare

"Ky person është i njohur për forcat e rendit dhe ka lidhje me rrethe islamiste në Berlin", deklaroi zëdhënësi i policisë, Florian Nath.

Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse Abdul B. ishte drejtuesi i furgonit apo nëse në sulm kanë marrë pjesë edhe persona të tjerë. Automjeti, i cili u gjet bosh dhe i dëmtuar rëndë, është sekuestruar në vendngjarje.

"Çdo person që ka informacion për vendndodhjen aktuale të Abdul B. ftohet të kontaktojë portalin e policisë së Berlinit për denoncime ose të paraqitet në çdo komisariat policie", thuhet në njoftimin zyrtar të autoriteteve.

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autori të ketë pasur bashkëpunëtorë, të cilët mund të jenë ende në arrati dhe të përfshirë në plagosje të tjera në kryeqytetin gjerman.